BB: Produktiviteti i punës në Shqipëri – më i ulëti në Europë

Tiranë, 13 gusht 2018 – Një raporti i Bankës Botërore tregon se niveli i produktivitetit të punës në Shqipëri është i ulët, në fakt më i ulët se sa në çdo vend tjetër të Europës.

Krahasimet tregojnë se produktiviteti i punës, i matur nëpërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për një punëtor, në vitin 2016, në Shqipëri ishte rreth 31,000 dollarë. (Në SHBA ishte 60.000 dollarë për punëtor, në Lituani ishte 57,000 dollarë, në Estoni ishte 48,000 dollarë).

Ekspertët e Bankës Botërore paralajmërojnë se produktiviteti është nën një kërcënim të vazhdueshëm, pasi popullsia e Shqipërisë po plaket, gjë që në afat të mesëm dhe të gjatë do të ushtrojë presion mbi rritjen e produktivitetit.

Struktura demografike e Shqipërisë është disi më e re se ajo e pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia nën moshën 30 vjeç përbën 41% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa në vendet fqinje ajo përbën 36% të popullsisë së përgjithshme.

Megjithatë, mosha mesatare po rritet nga viti në vit. Ndërmjet viteve 1980 dhe 2015, pjesa e popullsisë nën 30 vjeç ra, ndërsa pjesa e popullsisë mbi 30 vjeç u rrit.

Ekspertët e Bankës Botërore vënë në dukje se migrimi jashtë vendit për punësim mund të ndikojë negativisht në rritjen e produktivitetit në Shqipëri në afat të gjatë.

Ikjet e mëdha jashtë vendit nënkptojnë se një pjesë e fuqisë produktive të punës po largohet.

Banka Botërore evidenton se numri i emigrantëve shqiptarë u rrit më shumë se trefish gjatë dekadave të fundit: nga 0.2 milionë në vitin 1990 në 1.05 milionë në vitin 2017, shifër kjo që përbën pothuajse 40 përqind të popullsisë rezidente. Kjo shifër është më e larta në Ballkanin Perëndimor, pas Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shqipëria u përball me ikje të konsiderueshme të punonjësve të kualifikuar (rreth 40% e fuqisë punëtore e arsimuar ka emigruar në vendet e OECD deri në vitin 2010).

Njëkohësisht, Shqipëria pati rritje të ulët të pagave të punonjësve. Prandaj, emigrantët e kualifikuar nuk mund të zëvendësohen lehtë nga punëtorët e mbetur.

Përveç kësaj, edhepse remitancat kontribuojnë në uljen e varfërisë, ato mund të ndikojnë në uljen e  dëshirës për të punuar.

Por, rikthimi eventual i emigrantëve mund të ndikojë në transferimin e njohurive dhe të kapitalit njerëzor të fituar jashtë. Gjithashtu investimet financiare në diasporë mund të gjenerojnë përfitime ekonomike dhe rritje të produktivitetit, thekson Banka Botërore. (r.m.)

Comment

*