BB: Tërmeti dhe Koronavirusi me pasoja të rënda për ekonominë e Shqipërisë

Eshte prezantuar sot ne menyre digitale Raporti i Rregullt ekonomik per vendet e Ballkanit Perendimor.

Raporti fokusohet ne ndikim makroekonomik te pandemise COVID 19 ne keto vende.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të bjerë në recesion në vitin 2020, ku të gjashtë vendet parashikojnë normë negative të rritjes ekonomike teksa vijojnë përpjekjet për të trajtuar efektet ekonomike të pandemisë së COVID-19.

Persa i takon Shqiperise, mesazhet kryesore te raportit jane:

Dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese: tërmeti i Nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19 kane ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë.

Nese shumica e aktiviteteve ekonomike mund të rinisin në fillim të verës, rritja vjetore e PBB-së pritet të tkurret me 5 përqind për vitin 2020.

Qeveria shqiptare ka ndermarre nje seri masash per te mbeshtetur ekonomine dhe zbutur pasojat e saj ne jeten e njerezve. Nje zbatim i shpejte dhe i miremenduar do te rriste efektivitetin e ketyre masave.

Pasi të tejkalohet kriza, normalizimi i aktivitetit ekonomik dhe procesi i rindërtimit për zbutjen e pasojave të tërmetit pritet të mbështesin një rritje të shpejtë, por në planin afatmesëm nevojitet vazhdimi i reformave strukturore.

Origjinali në linkun:

https://www.worldbank.org/en/news/press-release/2020/04/29/recession-looms-for-western-balkans-as-countries-respond-to-covid-19MM

###

Banka Botërore publikoi sot një raport periodik mbi Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit, të gjashtë vendet e këtij rajoni pritet të bien në recesion këtë vit për shkak të pandemisë së COVID-19.

Parashikimi për Shqipërinë është se rritja ekonomike e saj mund të jetë nga – 5 në – 7 për qind.

Në rastin e Shqipërisë, krahas pandemisë së marsit ka ndikuar ndjeshëm edhe tërmeti i nëntorit.

Banka Botërore parashikoi në raportin periodik se rritja ekonomike rajonale për Ballkanin Perëndimor mund të jetë nga – 3 deri – 5,6 për qind.

Nëse pandemia ngadalësohet dhe masat kufizuese hiqen në fund të qershorit, ekonomia mund ta marrë veten gjysmën e dytë të vitit.

Por nëse pandemia zgjat dhe e shtyn heqjen e masave kufizuese deri në fund të gushtit, atëherë rimëkëmbja e ekonomisë do të shihet në tremujorin e fundit të këtij viti.

Në të gjithë rajonin gjatë pandemisë ka rënë kërkesa e brendshme dhe e jashtme, duke dëmtuar prodhimin dhe investimet, ndërsa kufizimi i udhëtimeve dhe takimeve mes njerëzve ndikuan mbi turizmin dhe shërbimet.

Raporti nënvizon se rececioni i Ballkanit do të varet nga shkalla e recesionit të Europës.

Në rastin e Shqipërisë theksohet se tërmeti i nëntorit dhe pandemia aktuale ishin dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese, që kanë ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë.

Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal dhe të rritin borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar me politika fiskale dhe monetare. Borxhi publik në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është ende i lartë. Po ashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë” – thuhet në raport.

Edhe nëse veprimtaria ekonomike mund të rinisë në fillim të verës, rritja vjetore e ekonomisë së Shqipërisë sërish do të jetë me -5 për qind.

Banka Botërore thotë se kriza aktuale shëndetësore ka zbehur ndjeshëm perspektivën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Ekonomia mund të ndikohet prej ndërprerjeve në zinxhirin global të furnizimit si dhe pakësimit të vendeve të reja të punës për shkak të karantinës dhe distancimit social.

Një tjetër efekt negativ mund të jetë ulja e fitimeve nga puna e punëtorëve, veçanërisht në sektorët më të prekur, si turizmi dhe hoteleria, prodhimi dhe tregtia e artikujve jo jetik.

Ndërprerjet e tregtisë dhe ngurrimi i investitorëve të huaj ndaj rrezikut pritet ta shtojnë presionin ndaj Shqipërisë.

Ajo ka lidhje të ngushta me ekonominë e Italisë, vendi më i prekur në BE. Shqipëria nis drejt Italisë afro gjysmën e eksporteve kombëtare dhe në tërësi ka me vendet e BE-së rreth 95 për qind të eksporteve.

Kështu që, me përhapjen e recesionit në të gjithë BE-në, pritet që goditjet e jashtme ndaj Shqipërisë të jenë më të larta./VOA

Comment

*