BBCrifillon transmetimin “online” në gjuhën serbe

Londër, 6 prill 2017 – Gjiganti mediatik anglez BBC do të rifillojë transmetimet “online” në gjuhën serbe, 6 vjet pas mbylljes së seksioneve në disa gjuhë, përfshirë edhe seksionin në gjuhën shqipe.

Drejtoresha e Shërbimit Botëror të BBC, Francesca Unsworth, tha:

“Jam e kënaqur që jemi në gjendje të përçojmë gazetarinë tonë të pavarur, të paanshme tek sa më shumë njerëz, në mbarë botën. Nga kjo do të përfitojë dhe shërbimi ynë i lajmeve në Britani, duke na ofruar më shumë kapacitete për të raportuar lajme nga Ballkani dhe nga Evropa Lindore”.

BBC filloi për herë të parë transmetimet nga Londra në gjuhën serbe-kroate në vitin 1939, që në atë kohë quhej Shërbimi Jugosllav i BBC-së.

Kjo redaksi u mbyll në vitin 2011, bashkë me “BBC në Shqip” dhe disa gjuhë të tjera nga Evropa Lindore, pas një vendimi të konsultuar bashkë me “Foreign Office”, i cili e financon Shërbimin Botëror të BBC-së.

Nëse rifillojnë transmetimet në gjuhë të caktuara, si në serbisht, presupozohet se rajoni rikonsiderohet problematik. Kohët e fundit, në Perëndim ka një shqetësim për ndikimin mediatik rus dhe jo vetëm rus në Ballkan.

Kohë më parë, burime diplomatike britanike të Top Channel patën paralajmërua se BBC mund të rifillojë transmetimet edhe në gjuhën shqipe. BBC në shqip ishte mbyllur para gjashtë vjetësh, bashkë me BBC-në në serbisht. (Top Channel)

Comment

*