BDI: Platforma shqiptare u hartua në Shkup, jo në Tiranë

Shkup, 7 mars 2017 – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas letrës që Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ua ka dërguar ndërkombëtarëve me kërkesë që ta dënojnë platformën e partive politike shqiptare, të cilën ai e quan si “tepër të rrezikshme për sovranitetin dhe unitetin e vendit”.

Zëvendës-kryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, ka thënë se, ndryshe nga ç’pretendon Ivanov, platforma e partive shqiptare është hartuar në Shkup, ndërsa në Tiranë është kryer vetëm akti formal i firmosjes.

Arifi i ka hedhur poshtë edhe kualifikimet e Ivanovit, i thotë se platforma gjoja e cenon karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë. Ajo ka thënë se platforma synon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe të cilën e flet një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Maqedonisë dhe zhvillimin e barabartë ekonomik të të gjitha rajoneve dhe të gjithë qytetarëve.

Arifi thekson se përpjekja për ta shndërruar platformën e përbashkët të partive shqiptare në një element urrejtje “është një papërgjegjshmëri serioze politike”.

Çfarë përfshin platforma që po tremb kaq shumë Ivanovin? Me ndërmjetësimin e Tiranës, më 7 janar të këtij viti, forcat politike shqiptare nënshkruan një marrëveshje ku kërkojnë arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe me Kushtetutën, zbatimin e multietnicitetit në Kushtetutë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtetformuese. Një nga pikat kryesore dhe më të debatuara të platformës është ajo e barazisë së plotë gjuhësore, çka do të bënte të mundur përdorimin e Gjuhës Shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Shqiptarët kërkojnë gjithashtu një debat gjithpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet të reflektojnë natyrën multientike të vendit. Objektiv tjetër është arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, raporton Top Channel. (r.m.)

Comment

*