BE arrin marrëveshje për pakon e rimëkëmbjes nga pandemia

Bruksel, 21 korrik 2020 – Liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë arritur një marrëveshje për pakon e rimëkëmbjes, pas katër ditëve bisedime, raporton BBC.

27 shtetet e BE-së do të ofrojnë 750 miliardë euro në grante dhe hua për të luftuar ndikimin në ekonomi që ka pasur pandemia COVID-19.

Kryetari i Samitit të BE-së, Charles Michel, ka thënë se është një moment shumë i rëndësishëm për Evropën.

Bisedimet kanë filluar të premten, ndërsa u pa një ndarje mes shteteve të goditura më së rëndi nga koronavirusi dhe atyre “të kursyera” që ishin të shqetësuara për koston e kësaj pako.

Në marrëveshje përfshihet një program i granteve në vlerë 390 miliardë euro për shtetet anëtare që janë goditur më së rëndi nga pandemia. Italia dhe Spanja pritet të jenë përfituesit më të mëdhenj.

Një 360 miliardë euro shtesë është vënë në dispozicion për hua me interes të ulët, për anëtarët e bllokut.

Samiti, që nisi në Bruksel të premten mbrëma, zgjati deri në orët e hershme të së martës. Pati më tepër se 90 orë bisedime dhe u bë takimi më i gjatë i BE-së që nga ai i vitit 2000 në qytetin francez Nice, që zgjati pesë ditë.

Pakoja tash do të kalojë në më tepër negociata teknike nga shtetet anëtare, dhe duhet një ratifikim i saj nga Parlamenti Evropian.

Presidenti Këshillit Evropian, Charles Michel, njoftoi për marrëveshjen nëpërmjet Twitter,  pak orë pasi 27 anëtarët arritën marrëveshjen në ora 05:15 të mëngjesit të martën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar marrëveshjen si një hap historik për BE-në.

“Sot kemi ndërmarrë një hap historik, me të cilin të gjithë mund të jemi krenarë. Por, mbeten hapa të tjerë të rëndësishëm. I pari dhe më i rëndësishmi është të fitojmë mbështetjen e Parlamentit Evropian”, ka shkruar Ursula von der Leyen në Twitter.

Marrëveshja i pasoi një fundjave të gjatë bisedime mes shteteve anëtarë të BE-së, ku pati edhe fjalosje.

(r.m.)

Comment

*