BE dhe Ballkani Perëndimor me deklaratë të përbashkët në Samitin e Sofjes

Sofje (Bullgari), 17 maj 2018 – Bashkimi Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen evropiane të rajonit, përmes një deklarate të përbashkët, në Samitin e Sofjes.

Deklarata e Sofjes, e cila vjen pas strategjisë së zgjerimit të BE-së për Ballkanin, të publikuar sivjet,  shpreh edhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e stabilitetit në rajon, si parakusht për integrimin e kësaj pjese të Evropës në kuadër të Bashkimit Evropian.

“BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Në njërën nga 17 pikat e kësaj deklarate theksohet se shtimi i angazhimeve “në forcimin e rendit dhe ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në respektimin e të drejtave të minoritarëve dhe të njëri-tjetrit, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit”.

“Përkushtimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është edhe dhe kërkesë e Bashkimit Evropian”,  theksohet në deklaratë.

Kurse në pikën e 11-të kërkohet bashkëpunim i shtuar i vendeve të rajonit kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Në Samitin e BE-së për Ballkanin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë po marrin pjesë liderë nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Nga Bashkimi Evropian po marrin pjesë: Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili është kryesues i samitit, Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, Përfaqësuesja e Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Nikoqir i samitit është kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili aktualisht e mban edhe Presidencën e Këshillit.

(Taulant Qenaj, REL)

Comment

*