“BE kërkon arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’, Rama i mbron”

Tiranë, 30 qershor 2018 – Deputeti i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Oerd Bylykbashi, në një deklaratë për media, ka thënë se përmes një projekt-akti të sjellë për miratim në seancën e ardhshme të Kuvendit, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi synojnë t’i kalojnë kompetencat Parlamentit për nisjen e hetimeve të deputetëve dhe ministrave.

“Gramoz Ruçi po sjell në Parlament me kërkesë të Edi Ramës për miratim për të enjten që vjen të një vendimi i cili rasti Tahiri e kthen në rregull. Mbrojtjen me vendim të Parlamentit, me imunitet nga Parlamenti nga arrestimi dhe ndjekja penale e Saimir Tahirit sot duan ta kthejnë në rregull për të mbrojtur ministrat e korruptuar. Kërkojnë të kthehet në Gjykatë që të jetë Parlamenti që do çmojë nëse ka prova për të hequr imunitetin, për të arrestuar, për të bërë kontroll apo kërkim në banesat e ministrave”, ka thënë Bylykbashi, tfansmeton OraNews.

Sipas tij, qëllim i Ramës dhe Ruçit është që të mbrojnë ministrat dhe deputetët e inkriminuar.

“Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, duke u dhënë imunitetet dhe mbrojtje deputetëve kriminelë, imunitet parlamentar, duke kthyer Parlamentin në Gjykatë, e rrëzojnë reformën në Drejtësi”, ka deklaruar Bylykbashi

Sipas tij, Rama dhe Ruçi po i mbrojnë zyrtarët e përfshirë në krim, ndërkohë që BE kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.

“Bashkimi Europian kërkon arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’, zyrtarëve të lartë, deputetëve dhe ministrave të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar. Këtë kërkon Bashkimi Europian, si kusht parësor për hapjen e negociatave, dhe pikërisht këtë e pengon Edi Rama”, ka thënë Bylykbashi.

Ai ka theksuar se Edi Rama, me këto akte dhe vendime, po provon se as në vitin 2019 nuk do ketë hapje të negociatave me Shqipërinë. (r.m.)

Comment

*