BE kërkon mbledhjen e Këshillit Politik për reformën Zgjedhore

Reagimi i euroambasadorit Luixhi Soreka

Knid Ndrenika

Bashkimi Europian i bëri thirrje Shqipërisë të mbledhë menjëherë Këshillin Politik të reformës Zgjedhore.

Brukseli thotë se Shqipëria ka interes kryerjen e reformës zgjedhore për të përmbushur sa më shpejt kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Euroambasadori Luixhi Soreka tha se është thelbësore që Këshilli Politik të rifillojë punën në nivel ndërpartiak edhe në kushtet e vështira të krijuara prej pandemisë së Koronavirusit.

Në emër të Bashkimit Europian ambasadori Soreka tha se është po kaq e rëndësishme dhe thelbësore mbështetja e reformës nga të gjithë aktorët politikë.

Për Brukselin, sipas zotit Soreka, interesi më i lartë i Shqipërisë është kryerja e reformës zgjedhore për të përmbushur sa më shpejt kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Euroambasadori foli pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për reformën Zgjedhore, ku paraqitën qëndrimet bashkëkryetarët Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Rudina Hajdari e Demokratëve opozitarë në Kuvend:

“A janë ata të gatshëm të vazhdojnë dialogun në Këshill apo konsiderojnë punën e ezaruuar me drafte që kanë sjellë? Në qershor t’i japim kohë parlamentit të diskutojë draftet dhe t’i miratojë ato. Mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng një proces të rëndësishëm”.

“13 çështje; për kompozimin e administratës zgjedhore, Kolegjit Zgjedhor, ndryshimet për kuotën gjinore, ndryshimet e sistemit u diskutuan edhe me anëtarët e Komisionit. U ra dakord që do të ecet përpara, që është diskutuar edhe në Këshillin Politik”.

Opozita e Bashkuar jashtë Kuvendit thotë se pret përgjigjen e shumicës pushtetare për të pesë projektet që ka dorëzuar për reformës Zgjedhore.

Comment

*