BE po i përcjell negociatat Serbi-Rusi për tregtinë e lirë

Bruksel, 22 tetor 2019 – Komisioni Evropian po i përcjell nga afër negociatat e Serbisë me Rusinë për një marrëveshje për tregti të lirë, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç.

Gjatë vizitës në Beograd, fundjavën e kaluar, kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë midis Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik, më 25 tetor.

Ky union përbëhet nga Rusia, Bjellorusia, Kirgizia, Kazakistani dhe Armenia.

“Po e përcjellim me kujdes situatën dhe po e diskutojmë atë me autoritetet serbe”, tha Kocijançiç.

“Nga Serbia pritet që të përafrohet me politikën e BE-së”, theksoi ajo, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Megjithatë, Serbia mund të bëjë marrëveshje me vendet ose organizatat e tjera, përpara se të bëhet anëtare e BE-së”, shtoi Kocijançiç.

“Në kontekstin e negociatave të pranimit, Serbia obligohet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së jashtme në ditën e pranimit në BE. Tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me palët e treta nuk është një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që vlen për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”, tha Kocijançiç.

Ajo tha se BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë dhe se tregtia me unionin përbën 63 për qind të tregtisë së përgjithshme të Serbisë. (r.m.)

Comment

*