“Bechtel–Enka” kërkon 63 milionë euro shtesë për autostradën Prishtinë-Shkup

Prishtinë, 29 nëntor 2017 – Kompania Bechtel-Enka kërkon nga punëdhënësi i saj në Kosovë, Ministria e Infrastrukturës, edhe 63 milionë euro mbi shumën e kontraktuar për përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë – Han i Elezit, drejt Shkupit.

Këtë e konfirmon edhe dokumenti që kompania Bechtel-Enka ia ka nisur Ministrisë së Infrastrukturës.

Në këtë dokument thuhet se palës kontraktuese i janë shkaktuar dëme dhe ka pasur vonesa në përfundimin e punimeve, si pasojë e pengesave nga punëdhënësi, Ministria e Infrastrukturës.

Këtë e ka konfirmuar edhe Ela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë Bechtel-Enka. Ajo ka treguar se javën e kaluar kjo kompani e ka njoftuar ministrinë se kërkon kompensim.

“Ne javën e kaluar e kemi informuar Ministrinë e Infrastruktures që kostoja për vonesat dhe ndryshimet e planifikimeve të ekzekutimit të projektit në 2.5 vitet e kaluara është rreth 63 milionë”, ka thënë Ruci për Gazetën Express.

Por, ajo ka shtuar se dy palët janë duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje.

Ditë më parë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar se autostrada për Shkup do të kushtojë 63 milionë euro më shumë se sa është paraparë, për shkak të vonesave të pagesave ndaj kompanisë së kontraktuar për kryerjen e punimeve, Bechtel-Enka.

Lekaj e ka akuzuar udhëheqjen e kaluar të kësaj ministrie se, sipas, e kanë neglizhuar kontratën.

Por, ish-ministri Lutfi Zharku ka thënë se gjatë mandatit të tij është përmendur shifra prej 14.8 milionë eurosh dhe jo e shumës prej 63 milion eurosh.

“Ne kemi folur për 14.8 milionë, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve”, ka thënë Zharku. (r.m.)

Comment

*