BEFASUESE: Ekziston një pamje e pestë me shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Shkrimi i shtatë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut

 

Javën e shkuar, përherë në përpjekjen tonë për të sjellë sa më shumë argumente se flamuri që u ngrit në 28 nëntor 1912 ishte i pasardhësit fals të Skënderbeut, Aladro Kastriotit, i paraqitëm lexuesit të “Illyria” prova se nuk ishte aspak ai që u vendos në fasadën e hotel “Kontinental” të Bukureshtit, ditën e 5 nëntorit, kur Ismail Qemali kreu takimin me koloninë shqiptare. Teza se atë flamur e solli me vete, kur udhëtoi bashkë me grupin e të zgjedhurve dhe të mbështetësve të Plakut të Pavarësisë, patrioti aktiv Spiridon Ilo, nuk vërtetohet dot prej fakteve, sidomos atyre që dëshmon bashkëqytetësi i tij korçar Dhimitër Zografi, firmëtar me autoritet i aktit të pavarësishpalljes.

Duke qendruar tek foto e katërt mbi këtë ngjarje kyçe të historisë sonë në shkrimin e herës së shkuar theksuam dyshimin në një element të saj: flamurin e nderur pranë grupit të veprimtarëve kombëtaristë. Ai ka një valvitje të sforcuar, të tendosur artificialisht, si të jetë një copë llamarine. Ndërkaq njerëzit e ulur përdhe nuk reflektojnë asnjë shenjë se përreth tyre po fryn, për shembull, ndonjë erë e fortë. Ja pse bëmë pyetjen “Mos ai është shtuar më pas?” Pra, mos ajo foto është e trukuar?

Në pamjen më të hollësishme të flamurit që ju paraqitëm, silueta e shqiponjës dykrerëshe u bë më e qartë sa për t’u krahasuar nga lexuesi me ndonjë variant tjetër. Ky ballafaqim nuk kërkon mundim të madh. Vetë Spiridon Ilo pamjen origjinale të flamurit që thotë se ishte ai i hotel Kontinentalit dhe, pasi udhëtoi bashkë me Ismail Qemalin nga Evropa Qendrore deri në Vlorë, ku u ngrit këtu në pasditen e vonë të 28 nëntorit 1912, e botoi në një kartolinë-kartë postale. Kjo ndodhi në 1920.

Fotot e kësaj kartoline që po ju parqitim bashkëngjitur shkrimit, i kemi siguruar prej fondit origjinal të koleksionistit të njohur Thimi Nika.

Shihni se si format e siluetës së shqiponjës në flamurin e nderur në ullishtet e Vlorës me atë të vendosur në kartolinën e Spiridon Ilos tetë mote më pas, janë të afërta, pak a shumë të ngjashme, por aspak të njëllojta.

Gjithnjë e më shumë, ndërsa po kryejmë këtë vëzhgim mbi çështjen se cili flamur kombëtar u ngrit zyrtarisht në Vlorë në ngjarjen e shpalljes së pavarësimit, shtohen argumentet se ai i pushimit të delegatëve në ullishtet pranë qytetit është i montuar më pas, më 1913 apo 1914, mbase edhe pak më vonë, por, mendojmë, kurrsesi në vitet njëzetë.

Ky dyshim që rri pezull mbi foton e katërt të kryengjarjes sonë kombëtare nuk duhet të na imponojë gjykimin se tërë ajo pamje në ullishtet e Vlorës është false, e sajuar, pra një rast kur personat e cituar prej historianit Niko Kotherja ndodhen realisht në një vend e kohë tjetër.

Disa elementë, përjashto flamurin e nderur, përforcojnë bindjen se ajo foto pasqyron pikërisht mesditën e 26 nëntorit 1912.

Dhimitër Zografi, përfaqësues i kolonisë shqiptare të Bukureshti dhe që në këtë qytet të madh të Rumanisë ishte tregtar në rrugën “Doamnei”, në rrëfimin e tij të shumëpasur me informacion dhe emocione kohe reale, botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit” të datës 30 nëntor 1917 (pra tre mote më herët se Spiridon Ilo të botonte kartolinën e vet me flamurin që këmbëngulte se qe ngritur në 28 nëntor 1912), mes të tjerash shkruan: “Atë ditë që arrijmë në Trieshtë, arrijti dhe Ismail Qemali me L.Gurakuqin nga Vjena, të cilët na thanë që Vlora është bllokuar prej grekërve dhe duhet menjëherë të nisemi në Durrës, që të mos na mbyllej edhe kjo udhë”. Pak më tej në vijim: “Ashtu q`atë ditë, me një vapor special që na dha Austria, pasi blemë ca armë dhe xhephane në Trieshtë”. Shumë më poshtë: “Kur iu afruam Durrësit, dy vapore të luftës greke, që kishin bllokuar Vlorën, na e muarrën vaporin tonë në mes, dhe një kapiten me tre veta hyjtin në vapor, gjoja të shohin se mos shpiem xhephane në Durrës. Qëllimi i tij ish të thotë, që ata e dinin se Ismail Qemali me neve hynim në Shqipëri, po s`na trazojnë, se po të kërkonin do të gjenin thasët me mauzerka dhe fishekë që kishim blerë në Trieshtë”.

Duke vazhduar rrëfimin e vet Dhimitër Zografi vë në dukje se “Kur duallmë nga Durrësi ishim 40-50 shpirt, të gjithë të armatosur me maliherë…”

Po të shohësh foton e pushimit të delegatëve në ullishtet para se të hynin në Vlorë, disa prej tyre janë të armatosur pikërisht me maliherë.

Zografi në fillim të dëshmisë së tij informoi po ashtu se në Trieste të gjithë delegatët e grumbulluar aty u veshën me kostume popullore.

Tek foto që po analizojmë, ajo e ullishtes, ky element dallohet qartë.

E treta hollësi që paraqet Dhimitër Zografi, por edhe që dihet prej mjaft burimeve të tjera, është moti i keq i atyre çasteve, periudhë shirash dhe qielli të vrenjtur.

Nuk kërkon përpjekje të madhe të vihet re në foton e katërt të Pavarësimit se momenti i fiksimit të asaj pamjeje është bërë nëpër një mot të tillë.

Ndërkaq mund të themi se fiksimi në kujtesën kombëtare i Pavarësimit ka vërtet katër foto, por realisht pesë pamje. Pamja e pestë që nuk është foto përbën një skicë. Kjo për historiografinë shqiptare ka qenë e njohur shumë dekada më parë, veç ajo ka marrë përherë e më shumë rëndësi në përpjekjet për të shtjelluar e përcaktuar variantin e vërtetë të flamurit kombëtar që u ngrit në 28 nëntor 1912.

Ajo pamje e pestë është botuar në 12 dhjetor 1912 në ballinën e shtojcës së gazetës austriake (vjeneze) “Das Interessante Blatt”. Temë e trajtuar vazhdimisht, vetëm para tre muajsh atë e rilevoi për opinionin publik edhe studiuesja Eleni Laperi.

Titulli kryesor shpjegues i kësaj pamjeje përdor fjalët: “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, formimi i një qeverie të përkohshme në portin detar të Vlorës”. Si nëntitull nga redaksia e “Das Interessante Blatt”. formulohet: “I rrethuar nga klerikë dhe fisnikë të elitës nga e gjithë Shqipëria, presidenti i përkohshëm Ismail Qemali shpalli pavarësinë e vendit nën brohoritjet e stuhishme të popullsisë së Vlorës”.

Vendosur në kllapa poshtë lëndës së sipërme tekstuale saktësohet se “Kjo është një skicë”.

Emër të autorit të saj nuk ka dhe me hamëndësimin e tij janë marrë jo pak studiuesë shqiptarë.

Vetë Eleni Laperi mendon se “Figurat në ilustrimin e Das Interessante Blat i njeh me lehtësi: dallohet Ismail Qemali, madje edhe pejzazhi, edhe pamja e godinës së familjes Vlora, me dritaret e ngushta me grila në katin e dytë dhe minareja e xhamisë në sfond”. Po ashtu ajo ngul këmbë se “Studiuesit e shtypit të atyre viteve sot e kanë patur të vështirë të përcaktojnë emrat e autorëve të fotografive e ilustrimeve, duke qënë se në përgjithësi autori i ilustrimit dhe emri i fotografit nuk janë të shënuar. Ata që janë marrë me shtypin dhe propagandën austro-hungareze të asaj periudhe, shkruajnë se ilustrimet në shtypin vjenez të asaj periudhe bëheshin duke u nisur nga fotografitë”.

Ndërkohë bie në sy se flamuri shqiptar i vizatuar në ballinën e “Das Interessante Blatt” nuk ka asnjë përngjasim me atë të Spiridon Ilos dhe as të Aladro Kastriotit. Po ashtu as me flamurin e pushimit të delegatëve në ullishtet e Vlorës.

Ai është shumë ndryshe.

Atëherë çfarë është ai?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 30 tetor 2017

Aladro Kastriota, kartolinë nga 1908.

Kartolina Me Flamur (e Spiridon Ilos), 1920.

Karte postale nga Spiridon Ilo, 1920

Flamur i Ullishtes prane Vlores (ngjyreverdhe)

Pamja e pestè Gazeta Vjeneze – 12 dhjetor1912

Comment

*