Bëhen ndryshime në sistemin për menaxhimin e pasurisë në Kosovë

Komisioni Mbikëqyrjen e Financave Publike ka mbështetur rekomandimet për ndryshime e plotësime në sistemin e menazhimit të pasurisë publike, ndërsa ka shtyrë për mbledhjen e radhës shqyrtimin e raportit të punës së RTK-së për vitin 2012. Përfaqësuesit e mediumit publik nuk i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në mbledhjen e komisionit.

 

Prishtinë, 2 korrik 2013 – Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit të Kosovës ka diskutuar të martën edhe rreth sistemit të menaxhimit të pasurisë. Zyra për Informim e Kuvendit njodfton se për trajtimin e kësaj çështje, në mbledhje kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Administratës Publike, Hajredin Hyseni, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Kryetari i komisionit, Aliu Sadriu, ka kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e ministrive lidhur me punën e deritashme të grupit teknik për ndryshimet e sistemeve të menaxhimit të pasurisë. Duke iu përgjigjur interesimit të komisionit, drejtori i Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave, Fatmir Plakiqi, ka bërë një rezyme të punës së këtij grupi dhe të rekomandimeve që kanë dalë pas analizës së funksionimit të këtyre sistemeve.

Të pranishmit kanë përkrahur njëzëri rekomandimet që ndryshimet që do të bëhen në këto sisteme të thjeshtësojnë mënyrën e regjistrimit të pasurisë se organizatave buxhetore dhe të eliminojnë punën e dyfishtë. Komisioni kërkoi që deri në mesin e muajit shtator të nxirret udhëzimi i ri administrativ, për rregullimin e kësaj çështjeje.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar të martrën edhe raportin vjetor të Radiotelevizionit te Kosovës (RTK) për vitin 2012. Në mbledhje ishin ftuar të merrnin pjesë edhe përfaqësues të këtij mediumi publik, në mënyrë që të jepnin informacione shtesë lidhur me raportin, por ata nuk i janë përgjigjur thirrjes. Ndër anqëtarë të komisionit ka pasur mendime që edhe pa praninë e përfaqësuesve të RTK-së të nxirret një rekomandim për seancën plenare të Kuvendit, në të cilën ky rapiort do të paraqitet për miratim. Megjithëkëtë, komisioni vendosi ta njoftojë udhëheqjen e RTK-së se takimi i ardhshëm do të mbahet më 15 korrik dhe se prej saj do të kërkojë arsyet pse nuk u është përgjigjur ftesës  për pjesëmarrje në mbledhjen e sotme.

Në mbledhjet e kaluara të komisionit është shprehur nevoja e shpjegimeve për aspekte të ndrsyhme të punës së RTK-së për vitin 2012.

R.M.

 

Comment

*