Bekim Lumit iu dha lamtumira me shfaqjen “Arturo Ui”

Prishtinë, 31 korrik 2018 – Miq, shokë dhe dashamirë të artit e kulturës u mblodhën sot në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisorit dhe profesorit të Fakultetit të Arteve, Bekim Lumi.

Lumi u nda nga jeta të hënën, në moshën 52 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë me të cilën ka luftuar një kohë të gjatë.

Para ceremonisë së varrimit, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u bënë homazhe për Bekimin dhe u mbajt një mbledhje komemorative, e cila ishte krejtësisht e veçantë, siç i shkon një artisti të madh origjinal.

Në mbledhjen komemorative u luajt një pjesë e shfaqjes së tij të fundit, “Arturo Ui”, të cilën ai e realizoi më 14 qershorn me rastin e 20 vjetorit të krijimtarisë së tij artistike.

Premiera e shfaqjes “Arturo Ui”u dha më 14 qershor, me rastin e 20 vjetorit të krijimtarisë artistike të regjisorit dhe me rastin e 120 vjetorit të lindjes së autorit të dranës, Bertolt Brecht.

Regjisori Bekim Lumi nuk mundi të merrte pjesë në premierën e shfaqjes së tij, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Motra e të ndjerit, Drita Lumi, i falënderoi të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes, në ditët e vështira nëpër të cilat ka kaluar.

“Kur e shohim tanë këtë dhimbje dhe dashuri për Bekimin e kuptojmë sa të bekuem kemi qenë ne dhe ju me Bekimin. Disa prej jush patët fatin të jeni aktorë në shfaqjet skenike të Bekimit, kurse shumë e shumë të tjerë ishit aktorë të dramës jetësore dhe të momenteve shumë të vështira shëndetësore të Bekimit”, tha motra e të ndjerit.

Ajo shfaqi shpresën se arti i Bekim Lumit do të jetë emblemë në skenën teatrore kosovare.

Varrimi i Bekim Lumit u bë në varrezat e qytetit, në Prishtinë. Lamtumirën e fundit ia dhanë shumë miq, kolegë e bashkëpunëtorë, dashamirë të teatrit e të arteve tjera, si edhe figura të njohura gtë botës së politikës dhe të botës së artit.

Profesori në Fakultetin e Arteve, Fadil Hysaj, gjithashtu mik i regjisorit, tha se ajo çka ka bërë Bekim Lumi për skenën shqiptare do të jetë frymëzim për shumë breza. Ai theksoi se Bekimi ishte themelues i post-avangardës shqiptare në teatër.

“Bekim Lumi është themelues i post avangardës shqiptare në teatër dhe si i tillë vërtetë që nuk ka një të dytë dhe ka me kalue shumë kohë që me ardhë një pasardhës i tij në skenën shqipe. Vakuumi që len mbrapa ai është një humnerë e pakapërcyeshme për një kohë të gjatë, sidomos për studentët e regjisurës, këta që kanë pasë fatin të jenë studentë të tij”, tha Hysaj.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se Bekim Lumi ka qenë një artist që ka zgjedhur të shprehet përmes artit, gjë që ka nxitur debat në shoqëri.

“Patjetër se është humbje e madhe që nuk është më në mesin tonë. Megjithatë, unë besoj se veprat e tij do të qëndrojnë me vite të tëra, ndoshta edhe me gjeneratat që do të mësohen nga studentët e tij. Prandaj, unë u shpreh ngushëllime familjes dhe të gjithë artistëve dhe atyre që e kishin mik, por edhe ature që thjeshtë ishik shikues të artit”, tha Ahmeti

Regjisori Bekim Lumi ka realizuar dhjetëra shfaqje teatrore, të cilat kanë qenë shumë të suksesshme. Ai ishte nderuar me shumë çmime e mirënjohje, në Kosovë dhe jashtë saj.

Në vitin 2016, atiu iu nda çmimi për “Regjinë më të mirë” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. (r.m.)

Featured Image

Comment

*