Berlini as nuk hapi e as nuk mbylli ndonjë ide për marrëveshjen me Serbinë

 

Prishtinë, 15 maj 2019 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të mërkurën se takimi i Berlinit që u mbajt më 29 prill, me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez, Emmanuel Macron, “as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.

Thaçi ka bërë këto komente gjatë një takimi me ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ku ka shprehur opinionet për takimin e Berlinit dhe pritjet për takimin që do të mbahet në Paris.

Në komunikatën e Zyrës së Presidentit thuhet se Thaçi e ka vlerësuar kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe të Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka kontestuar deklaratat dhe vlerësimet e një pjese të pjesëmarrësve të takimit të Berlinit, por edhe të vëzhguesve të pavarur se takimi i Berlinit u dha fund ideve për ndryshim kufijsh në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, citohet të ketë thënë ai.

Thaçi e ka mirëpritur kërkesën për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshjeje paqësore dhe ka përsëritur se kjo marrëveshje “duhet të jetë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht detyruese, që sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”.

Ai ka nënvizuar rëndësinë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe shtetet perëndimore në përgjithësi “të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces”, duke veçuar vendet e “quintit” (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia).

Thaçi ka përsëritur deklaratën e tij se kancelarja Merkel dhe presidenti Macron nuk janë konsultuar më Shtetet e Bashkuara të Amerikës për organizimin e takimit.

“Jam befasuar për të keq kur kam mësuar që për takimin e Berlinit nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, citohet të jetë shprehur ai.

Thaçi ka shfaqur shpresën se takimi që pritet të mbahet në Paris, më 1 korrik, siç është shprehur, “do të jetë më mirë i përgatitur, se vendet anëtare të BE-së do të jenë më unike, do të prezantojnë ide kreative si të lëvizet përpara dhe takimi do të ketë substancë”.

Ai e ka hedhur poshtë kushtin e vënë nga Serbia që të mos marrë pjesë në dialog derisa të mos tërhiqet vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia.

“Nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia”, citohet të ketë thënë Thaçi, duke shtuar se taksa ndaj prodhimeve të Serbisë do të mbetet në fuqi. (r.m.)

Comment

*