Bërnabiq: Prishtina po do t`i fusë në qeveri “serbët e saj”

Beograd, 14 tetor 2019 – Autoritetet në Serbi e kanë kontestuar helmimin e zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga zarfet e votave të ardhura nga Serbia.

Ata e kanë cilësuar incidentin si inskenim të autoriteteve të Kosovës, ndërsa ndërprerjen e procesit të numërimit të votave të ardhura nga Serbia e kanë cilësuar si përpjekje për të deformuar vullnetin politik të serbëve të Kosovës.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e ka cilësuar këtë si “përpjekje që serbët e tyre t`i fusin në qeverinë e re të Prishtinës”.

“Kam frikë se nuk u intereson se si votuan serbët dhe nuk u interesojnë serbët që do të hynin në atë qeveri. Bëhet fjalë për njerëzit që kur deshën ta bënin Ushtrinë e Kosovës e shkelën direkt kushtetutën e tyre,” ka thënë Bërnabiq për Tv Pink.

Sipas saj, liderët politike të Kosovës nuk dëshirojnë t’i përfshijnë në qeveri përfaqësuesit e Listës Serbe,  të cilët janë lojalë ndaj Beogradit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka fyer rëndë drejtuesit e institucioneve dhe liderët politik në Kosovë.  Ai i ka quajtur ata “budallenjë që merren me politikë”.

25 zyrtarë të KQZ-së të cilët janë marrë me procesin e verifikimit të votave janë helmuar pasi i kanë hapur zarfet që kishin arritur nga Qendra Koordinuese e  Serbisë në Kosovë. 9 prej tyre janë hiospitalizuar, ndërsa të tjerët janë liruar ;ër trajtim të mëtekshëm në shtëpi.

Klinika infektive dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po vazhdojnë ekzaminimet për zbulimin e reagensit që shkaktoi helmimin e zyrtarëve të KQZ-së. (r.m.)

Comment

*