BERZH: 15% e humbjeve të bizneseve – nga korrupsioni, energjia dhe infrastruktura

Tiranë, 2 maj 2018 – Dy ekonomistë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) konstatojnë se sipërmarjet shqiptare humbin 15% të të ardhurave të tyre vjetore, vetëm nga tre faktorë: krimi, mungesa e energjisë elektrike dhe infrastruktura e dobët.

Studimi i ekspertëve Peter Sanfey dhe Jakov Milatoviq, të cilit i referohet revista ekonomike “Monitor”, konstaton se rrugët jo të mira dhe pagesat korruptive janë gjithashtu një kosto e shtuar për bizneset në Shqipëri.

Në Ballkan në tërësi ky tregues është 13.2% e shitjeve vjetore të sipërmarrjeve, sipas dy ekonomistëve të BERZH. Për pasojë, produktiviteti i firmave në Ballkan është dukshëm më poshtë standardeve të BE-së, duke reflektuar institucionet e dobëta dhe një mjedis të vështirë biznesi, thuhet në studim.

Ekonomistët e BERZH kanë gjetur se rajoni i Ballkanit Perëndimor rezulton i dobët në krahasim me vendet e BE-së, veçanërisht në fushat e konkurrencës dhe qeverisjes së mirë.

Këto rezultate theksojnë nevojën për zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse dhe të gjerë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e ambientit të biznesit. (r.m.)

Comment

*