BERZH do të mbështesë projektet me impakt në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë, 6 prill 2018  – Kosova do t’u japë peshë raporteve me BERZH-in dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të përkrahë projektet jetike të komunave për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kështu ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapje të takimit të Qeverisë së Kosovës me drejtorin e ri të BERZH-it në Kosovë dhe me përfaqësues të komunave dhe të bizneseve private që kanë pjesë e projekteve të prezantuara në Samitin e Londrës, të organizuar nga BERZH.

“Qeveria e Kosovës do të marrë garanca që ky operacion i përbashkët të bëhet i mundur dhe nismat e komunave dhe bizneseve të gjejnë përkrahjen e duhur. Është një veprim i ndërsjellë yni dhe ky operacion i përbashkët bëhet i mundur duke falënderuar gatishmërinë e BERZH-it, të cilët i falënderoj për këtë partneritet”, ka thënë Haradinaj.

“Besoj se kemi dëshmuar si Kosovë se do t’i japim peshë kësaj marrëdhënie dhe besoj se takimi i sotëm përmbyllë një pjesë tjetër të kësaj marrëdhënie, që dëshmon se do të rrimë në këtë projekt bashkë”, ka shtuar i.

Neil Taylor, shef i Zyrës së BERZH-it në Prishtinë ka thënë se BERZH-i është një partner afatgjatë i Kosovës. Ai kujtoi se ky institucion financiar ndërkombëtar, prej vitit 2012, ka investuar në Kosovë 312 milionë euro, në 81 projekte të sektorit publik dhe atij privat.

“Duam të bëjmë më shumë në Kosovë dhe ky është qëllimi ynë, që të punojmë më shumë. I kemi tri fusha prioritare: sektorin privat, ekonominë e gjelbër dhe infrastrukturën”, ka thënë ai.

Taylor ka thënë se ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë në projektet që kanë impakt në rritjen ekonomike të Kosovës.

Kordinatori në Qeverinë e Kosovës për Ballkanin Perëndimor, Gazmend Abrashi, njëherësh i ngarkuar edhe në mbledhjen e projekteve dhe prezantimin e tyre, ka folur për 40 projekte të cilat Kosova i ka prezantuar në Londër.

Takimi i sotëm është iniciuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, me qëllim të promovimit të projekteve dhe të gjetjes së mundësive për sigurimin e fondeve për realizimin e tyre.

Institucionet e përfshira në këtë proces tani do të listojnë projektet prioritare, të cilat do të mbështeten nga BERZH-i dhe nga Qeveria e Kosovës. (r.m.)

Comment

*