BERZH: Ekonomia e Kosovës po rritet fuqishëm, ekonomia e Shqipërisë po përmirësohet

Londër, 22 nëntor 2017 – Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) e ka publikuar raportin “Tranzicioni 2017 – 2018”, i cili analizon ecuritë ekonomike në vendet  ku vepron kjo bankë.

Raporti thotë se vendet në të cilat vepron kjo bankë kanë nevojë për një model të ri rritjeje, për t’i ndihmuar ato të kalojnë në një fazë të rritjes së qëndrueshme në të ardhmen.

Sipas raportit, rritja ekonomike në këto vende është duke mbetur mbrapa, krahasuar me rritjen që është shënuar në tregje të ngjashme në zhvillim dhe se pas krizës financiare të viteve 2008-2009, shumë ekonomi duket se kanë arritur një “nivel të mesëm të ardhurash”, por nuk po arrijnë të zhvillohen përtej këtij niveli.

Raporti “Tranzicioni 2017 – 2018” pasqyron edhe rritjen ekonomike në vendet ku ajo vepron, veç e veç, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.

 

Kosova në Raportin e BERZH-it “Tranzicioni 2017-2018”

 

Ekonomia e Kosovës po rritet fuqishëm. Faktorët kryesorë të rritjes vazhdojnë të jenë konsumi i brendshëm dhe investimet publike në infrastrukturë. Rritja ekonomike në vitin 2016 llogaritet të jetë 3.4 për qind, pak më e ulët se 4 për qind, sa ishte në vitin 2015, por vazhdon të jetë e fuqishme, pas ngadalësimit që pati në vitin 2014 (1.2 për qind), , thuhet në raport.

Një program i FMN-së me Qeverinë e Kosovës thuhet në raport, skadoi në gusht 2017. Programi 22 mujor prej 185 milionë eurosh u miratua në korrik të vitit 2015. Në mars të vitit 2017 ai u zgjat deri në gusht, për të ndihmuar vazhdimin e politikave dhe për të lejuar përparime në reformat strukturore. Megjithatë, FMN-ja nuk dha vlerësim përfundimtar dhe nuk bëri livrimin e rreth 15 milionë eurove të fundit të programit, për shkak të mungesës së një qeverie të re, pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, thuhet më tutje në raportin e BERZH-it.

Raporti i vlerëson disa nga masat e marra nga Qeveria e Kosovës për të përmirësuar klimën e investimeve. Këtu përfshihet ligji i ri për investimet strategjike, i cili është hartuar për të thjeshtuar procesin për investitorët dhe për të shtuar investimet e huaja të drejtpërdrejta, si edhe përparimi në fushën e zbatimit të kontratave dhe të prokurimeve publike.

Raporti i BERSH-it vlerëson gjithashtu masat e marra për të lehtësuar tregtinë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe planet për të përmirësuar lidhjet rajonale të transportit.

Ndër përparësitë kryesore për vitin 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim radhit nevojën për reforma të mëtejshme për përmirësimin e klimës së investimeve. Fushat kryesore që kërkojnë vëmendje përfshijnë rritjen e ndikimit dhe efektivitetit të Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, forcimi i kapacitetit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mbështetja për zbatimin e ligjit për falimentimin dhe të ligjeve tjera tregtare.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se infrastruktura ndërkufitare e transportit duhet të vazhdojë të rritet. Kjo duhet të përfshijë përparimin drejt rehabilitimit dhe përmirësimit të rrugëve kryesore dhe hekurudhore ndërkufitare si dhe përmirësimit të kapacitetit të agjencisë së shërbimeve për kontrollin ajror të vendit.

Kosova duhet të ruajë qëndrueshmërinë fiskale. Politikat e matura të ndjekura nga Kosova kanë çuar në uljen e borxhit publik dhe do të jenë të rëndësishme për të rritur besimin e investitorëve, thuhet në raportin e BERZH-it

 

Shqipëria në Raportin e BERZH-it “Tranzicioni 2017-2018”

 

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se gjendja makroekonomike e Shqipërisë po përmirësohet. Në raportin “Tranzicioni 2017 – 2018” thuhet se niveli i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) po përmirësohet vit pas viti. Ai arriti në 3.4 për qind në vitin 2016, krahasuar me 2.2 që ishte në vitin 2015, ndërsa këtë vit parashikimi është të arrijë në 3.7 për qind, falë rritjes së konsumit të brendshëm dhe investimeve. Shpenzimet qeveritare u rritën në mënyrë të moderuar, ndërsa eksportet, megjithëse të pakta, luajtën një rol pozitiv.

Programi i FMN-së, i cili përfundoi me sukses, ka kontribuar në përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe në rënien e nivelit të borxhit publik, i cili megjithatë vazhdon të mbetet i lartë. Raporti vlerëson politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë por vëren se niveli i kredidhënies është ende i ulët për të ndihmuar rritjen ekonomike, thuhet në raportin e BERZH-it.

Në raport thuhet se duhet të vazhdojnë përpjekjeve për të trajtuar si duhet kreditë e këqija në sektorin bankar.

Rapiorti i BERZH-it thotë se perspektiva afatshkurtër e rritjes ekonomike në Shqipëri është pozitive, por mbeten rreziqe. Rritja prej 3.7 për qind për vitin 2017, pritet të qëndrojë në të njëjtin nivel në vitin 2018, duke u mbështetur tek kërkesa e brendshme dhe në investimet e huaja të drejtpërdrejta, siç është projekti i gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP).

Në raport thuhet gjithashtu se ekonomia do të përfitojë nga përparimi i mëtejshëm i procesin të përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian. Megjithatë, mbeten rreziqe të rëndësishme, të lidhura me dobësitë strukturore në administratën publike dhe në infrastrukturë, si edhe dobësitë ndaj goditjeve të jashtme në tregun kryesor të Shqipërisë, Eurozonë.

Ndër përparësitë kryesore për vitin 2018, raporti radhit reformat e kërkuara për pranimin e vendit në Bashkimit Evropian, si ajo e administratës publike dhe sundimi i ligjit.

BERZH thotë se nevojiten reforma të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit. Fushata kundër informalitetit ka dhËnë rezultate të rëndësishme, por nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar problemet e rrënjosura thellë, si marrja e paligjshme e energjisë elektrike, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave, thuhet në raport.

Raporti thotë se përparimi i shënuar në reformën e sektorit të energjisë duhet të jetë i qëndrueshëm. Aty vlerësohen hapat e ndërmarrë në këtë sektor, si rritja e mbledhjes së faturave,  ulja e humbjeve në rrjet dhe shlyerja e borxheve ndaj sektorit privat. Përmirësime të mëtejshme në qeverisje dhe praktikat operacionale të ndërmarrjeve shtetërore në sektorin energjitik janë të nevojshme për ta bërë të qëndrueshme situatën financiare në këtë sektor thekson raporti i BERZH-it.

(Ramadan Muçolli, sipas Zërit të Amerikës)

Comment

*