BERZH mbështet rehabilitimin e hekurudhave në Kosovë

Prishtinë, 15 shkurt 2018 – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të mbështesë financiarisht projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 në Kosovë, prej Hanit të Elezit, në kufi me Maqedoninë, e deri në Mitrovicë, në kufi me Serbinë.

Marrëveshja për grantin e BERZH-it, në vlerë prej 19.5 milionë eurosh, është nënshkruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, dhe drejtoresha menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe.

Ministri Hamza ka thënë se rehabilitimi i kësaj hekurudhe do të zhvillohet në tri faza, kurse kostoja e këtij projekti do të jetë 195,5 milionë euro.

“Financimi i ndërtimit të linjës kryesore hekurudhore, e cila na lidh në të dy drejtimet me Bashkimin Evropian, do të realizohet me mbështetjen e BE-së, BERZH-it dhe Bankës Investime Evropiane. Studimi, i cili është bërë me mbështetjen invenstive të Ballkanit Perëndimore, ka përcaktuar koston e financimit të tërë linjës në vlerë prej 195.5 milionë eurosh, i cili do të realizohet në tri faza. Faza e parë e projektit, e cila pritet të fillojë sivjet, përfsdhin 64 kilometra hekurudhë nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë. BE-ja do të financojë 38.5 milionë donacion, që janë ndihmë dhe përkrahje financiare për projektet në Kosovë për popullin e Kosovës, mjete pa kthim, kurse BERZH-i dhe Banka Investive Evropiane me nga 19.2 milionë euro. Për fazën e dytë, e cila përfshin linjën nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë, me gjatësi prej 35 kilometrash, do të financohet nga BE-ja. Janë ndarë mjete në vlerë prej 17.2 milionë eurosh për punë fizike dhe për këtë do të nënshkruajmë marrëveshje, besoj në muajt në vijim”, ka thënë Hamza.

Ai ka treguar se Ministria e Financave, së bashku me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe me ministritë e linjës, përmes këshillit kombëtar të investimeve, do të aplikojë për financimin e fazës së tretë, e cila përshkon segmentin prej 42 kilometrash nga Mitrovica deri në kufi me Serbinë. Sipas tij, faza e tretë e projektit do të kushtojë 24 milionë euro.

Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, ka thënë se me këtë projekt do të realizohet i tërë projëekti për rehabilitimin e korridorit hekurudhor që do të funksionalizojë lidhjen mes Kosovës-Bullgarisë-Greqisë, deri në pjesën tjetër të Evropës.

Drejtoresha Menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, ka thënë se kjo është marrëveshja e parë për financimin e transportit që është përfshirë në “Procesin e Berlinit”.

“Është i pari projekt i tillë i transportit që financohet nga BERZH-i, i cili do të vazhdojë me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera. Gjithashtu, ky është granti i parë nga ‘Procesi Berlinit’”, ka thënë Ruhe.

Ndërkaq, ministrja e Integrimit Evropian , Dhurata Hoxha, ka thënë se ky projekt është një hap i rëndësishëm për afrimin e Kosovës me vendet e BE-së.

“Rehabilitimi i linjës 10-të hekurudhore është projekt i rendësish strategjike për ekonomin dhe qytetarët e Kosovës. Linja 10 është pjesë e korridoreve më të rëndësishme hekurudhore evropiane që e lidh Ballkanin me vendet e BE-së“, ka thënë ajo. (r.m.)

Comment

*