BERZH: Më 2021, ekonomia e Kosovës mund të rritet 4 për qind

Londër, 1 tetor 2020 – Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret rreth 5 për qind këtë vit, si pasojë e pandemisë me koronavirus, mirëpo vitin e ardhshëm mund të kthehet në binarë me një rritje prej 4 për qind, thuhet në një raport të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas BERZH-it arsye për këtë rënie është zvogëlimi i investimeve (9 për qind) sektori i ndërtimit (12 për qind) si dhe ndikimi i pandemisë pothuajse në çdo sektor.

Raporti thotë se vlerësimi për rritjen ekonomike mund edhe të duket më i zymtë nëse rastet me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) rriten dhe ekonomia mund të bllokohet përsëri.

Në gjysmën e parë të këtij viti, vizitat nga diaspora kosovare ranë për rreth 35 për qind. Mirëpo, sipas BERZH-it me gjithë vizitat e rralluara diaspora kosovare dërgoi 10 për qind më shumë para se sa në shtatëmujorin e parë të vitit 2019.

Diaspora kosovare është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë e vendit, me paratë që ata sjellin të familjet e tyre si dhe investimet që ata bëjnë kryesisht në sektorin e patundshmërive.

Por, jo çdo gjë ishte zi në kohë të pandemisë për ekonominë kosovare.

“Eksporti në Kosovë u rrit 20 për qind, falë zgjerimit të eksporteve të metaleve bazë dhe produkteve kimike”, thuhet në raport.

Sipas raportit kosovarët kanë blerë produkte me çmime pak me të lira se sa më herët pasi kërkesa për blerje ka rënë si pasojë a masave për izolim gjatë muajve të pandemisë.

(r.m.)

Comment

*