BERZH përkrah realizimin e projekteve kapitale në Kosovë

Prishtinë, 4 prill 2017 – Ministri i Financave, Avdullah Hoti, priti sot në takim drejtorin e Konstituencës së BERZH-it për Danimarkë, Lituani, Irlandë dhe Kosovë, Ove Jensen, dhe shefen e Zyrës së BERZH-it në Kosovë, Elena Petrovska.

Gjatë takimit, theks i veçantë iu kushtua zbatimit të projekteve për të cilat janë nënshkruar marrëveshje ndërmjet BERZH-it dhe Institucioneve të Kosovës, njofton ministria e financave.

Hoti e njoftoi drejtorin e Konstituencës së BERZH-it, Ove Jensen, për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe e falënderoi BERZH-in për financimin e projekteve kapitale të Qeverisë së Kosovës në sektorin e transportit, me theks të veçantë në projektin e hekurudhës, i cili do të ndikojë në zhvillimin e tregtisë dhe në qarkullimit më të lirë të mallrave në rajon dhe më gjerë.

Drejtori i Konstituencës së BERZH-it, Ove Jensen, shprehu gatishmërinë e këtij institucioni të rëndësishëm financiar për ta përkrahur Kosovën, sidomos projektet të cilat janë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve. (r.m.)

Comment

*