Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu tha se pavarësisht rrethanave, në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit atmosfera shpirtërore ndihet anembanë

Knid Ndrenika

Ndryshe nga më parë, pa falur namazin në sheshin “Skënderbej” dhe në sheshet e tjerë të vendit, por nëpër xhami sipas udhëzimeve të autoriteteve për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Falja e Namazit u krye rreth orës 6:30 të mëngjesit dhe më pas hytbja e Kurban Bajramit.

Ceremonia kryesore, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu u zhvillua në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri), Tiranë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu tha se pavarësisht rrethanave, në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit atmosfera shpirtërore ndihet anembanë.

Pas faljes së namazit, Kryetari Spahiu vijoi me hutben e Bajramit, ku foli mbi kushtet në të cilat besimtarët në Shqipëri por edhe anë e mbanë botës po e festojnë këtë ditë të madhe.

Sipas tij Kurban Bajrami është gëzimi i individit dhe i shoqërisë, është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Është ndarja e këtij gëzimi mes njerëzve dhe është hyrje në klimën e ndjenjave pozitive shpirtërore.

Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit.

“Jemi në ditën e parë të festës së madhe të Kurban Bajramit. Falënderojmë Zotin që, megjithëse në kushte të vështira, na e bëri të mundur t’i presim me gëzim dhe shpresë edhe njëherë këto ditë të mëdha të kësaj feste. Të kremtuarit e këtyre ditëve na inkurajojnë në angazhime më të vendosura, për detyra më të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një të ardhmeje solide” – theksoi ai gjatë hutbes.

Kryetari Spahiu uroi besimtarët për Kurban Bajramin duke theksuar domosdoshmërinë për mbrojtjen e jetës nga kushtet që ka krijuar COVID-19:

“Festa e Kurban Bajramit është e lidhur ngushtë me kushtin e pestë të Islamit, Haxhin. Për arsye të situatës nga pandemia, besimtarët myslimanë nuk mundën ta kryejnë haxhin e këtij viti.

Të jemi të kujdesshëm në festimet tona, për të shmangur infektimet e mundshme nga COVID-19.

Shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë në fenë tonë. E kemi për detyrë të kujdesemi për veten, familjen, të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë Bajrami në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj”.

Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit.

Comment

*