Betohet Mark Gjonaj – Shqiptari i parë në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut

Mark Gjonaj, është tani shqiptari i parë në historinë e Amerikës, që do të jetë anëtar i Këshillit Bashkiak, në Nju Jork.
Qindra vetë, kryesisht banorë të zonës së tij, ishin mbledhur për ceremoninë e posaçme “Së bashku bëmë histori”, në 21 janar, në kampusin e Kolegjit Lehman, në Bronx.
Përveç disa figurave të pushtetit lokal, merrnin pjesë katër ambasadoret shqiptare në Uashington dhe Nju Jork: (Floreta Faber, Vlora Çitaku Besiana Kadare dhe Teuta Sahatiçia) si dhe Ambasadori i Malit të Zi.
Me veprimtarëve të njohur shqiptarë ishin edhe dy klerikë: Dom Pjetër Popaj i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe Imam Edin Gjoni, nga Xhamia e Quinist.
Drejtuese e ceremonisë ishte Lisa Sorin, ndërsa hapjen e bëri Dom Pjetër Popaj.
Një skuadër ceremoniale e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut ekzekutuan marshin e policisë duke mbajtur flamuj të Shqipërisë, Kosovës, trojeve kombëtare shqiptare, të Policisë Njujorkeze dhe të Shtetit të Nju Jorkut.
Ish-asembleisti i parë shqiptar në Nju Jork, ishte betuar zyrtarisht në 3 janar bashkë me anëtarët e tjerë të Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut. Kjo ceremoni e të dielës ishte për votuesit dhe mbështetësit e fushatës.
Pas dy himneve kombëtare (ai shqiptar i kënduar nga Jessica Raja), mbajtën fjalime disa kolegë dhe aleatë të Mark Gjonajt, si Senatori i Shtetit, Asambleisti Marco Crespo, Avokates së Popullit të Nju Jorkut, Letitia James, Asambleisti Michael Benedetto si dhe kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut, Carl Heastie.
Ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës, lexuan përkatësisht nga një letër përshëndetëse prej kryeministrit Edi Rama e të Presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Pika më kulminate e kësaj ceremonie ishte kur Anëtarja e Gjykatës së Lartë të qytetit të Nju Jorkut, Llinet Rosado, ftoi Mark Gjonajn të bëjë betimin mbi Bibël. I shoqëruar nga gruaja Roberta dhe dy djemtë e tij, Jozefi dhe Nicholas, duke mbajtur dorën e majtë mbi Bibël – të cilën e mbanin dy djemtë e tij dhe me dorën tjetër ngritur lart, zoti Gjonaj përsëriti një për një fjalët e betimit, para gjykatëses.
Më pas, Anëtari i Këshillit të Bashkisë së Qytetit të Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj, mbajti fjalimin përshëndetës.
Në fund, Grupi i valltarëve të Qendres Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” me koreografe Agjelina Nikën interpretoi një valle për kënaqësinë e të pranishmëve. (Beqir Sina/Illyria)

 

Comment

*