Biden: Asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit

Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha të martën se asgjë nuk do ta ndalë transferimin e pushtetit në SHBA, megjithëse Presidenti Donald Trump pretendon pa prova se zgjedhjet u karakterizuan nga mashtrime dhe disa prej aleatëve të tij republikanë mbështesin proceset ligjore të hapura për këtë qëllim.

Kreu i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell ka mbështetur të drejtën e Presidentit Trump për të ndërmarrë sfida ligjore ndaj fitores së zotit Biden në disa shtete “fushëbetejë” si Pensilvania. Disa të republikanë me pozita të larta në Senat janë përpjekur të ngjallin dyshime për rezultatin.

Zoti Biden siguroi më shumë se 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën pas katër ditësh të tensionuara të numërimit, i cili u vonua për shkak të rritjes së numrit të fletëvotimeve me postë.

Zoti Biden tha në një fjalim në Delauer se ekipi i tij po vazhdon punën për formimin e një administrate të re që do të nisë funksionimin në Ditën e Inaugurimit, më 20 Janar 2021, sido që të jetë.

Ne do të vazhdojmë, duke ecur së bashku, në mënyrë konsistente për të formuar administratën tonë, Shtëpinë e Bardhë, dhe për të shqyrtuar se cilët njerëz do të zgjedhim për pozitat e Kabinetit. Asgjë nuk do ta ndalë këtë,” tha ai.

Zoti Biden tha se ishte “turp” që zoti Trump nuk i ka pranuar zgjedhjet.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo parashikoi një administratë të dytë Trump në komentet që bëri të martën, të cilat ishin në kundërshtim me urimet e bëra në biseda telefonike midis zotit Biden dhe udhëheqësve të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Irlandës.

“Me disa përjashtime të kuptueshme, e gjithë Partia Republikane është vënë në një pozicion frikësimi të butë nga presidenti, por ka vetëm një president në një kohë,” tha zoti Biden, i cili buzëqeshi kur u pyet në lidhje me komentet e zotit Pompeo.

Në seancën e parë me pyetje-përgjigje që nga fitorja e tij, zoti Biden u pyet se çfarë do t’i thoshte zotit Trump, nëse ishte duke e parë në televizion atë moment.

Presidenti i zgjedhur u përgjigj: “Zoti President, mezi pres të flas me ju”.

Comment

*