Biden nuk dëgjon sugjerimin që të mos dalë në debat me Trumpin

Uahington, 28 gusht 2020 – Kandidati demokrat për president të SHBA-ve, Joe Biden, po refuzon sugjerimet që të mos marrë pjesë në një debat zyrtar me Presidentin Donald Trump.

“Do të debatoj me të. Do të bëj verifikuesin e fakteve në skenë ndërsa do të jem duke debatuar me të”, tha zoti Biden të enjten, gjatë një interviste për kanalin MSNBC.

“Mendoj se të gjithë e dinë se ky njeri ka tendencën pothuajse patologjike për të mos thënë të vërtetën”, shtoi ai.

Biden i bëri këto deklarata pak pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ajo nuk mendonte se këtë vit duhet të kishte debate presidenciale.

“Nuk do ta legjitimoja një bisedë me të, dhe as një debat për sa i përket presidencës së Shteteve të Bashkuara”, tha zonja Pelosi.

Ajo parashikoi se gjatë debateve, Presidenti Trump “ndoshta do të vepronte në një mënyrë që është nën dinjitetin e presidencës”, duke kujtuar veprimet e tij gjatë debateve për vitin 2016 me ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton, kur ai i qëndronte pas kandidates demokrate gjatë një takimi me publikun.

Presidenti Trump dhe ish-nënpresidenti Biden pritet të debatojnë më 29 shtator, më 15 tetor dhe më 22 tetor.

Me 67 ditë të mbetura deri në zgjedhjet e vitit 2020, demokratët po vazhdojnë të sulmojnë Presidentin Trump për përgjigjen e administratës së tij ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë 180.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara,  shifra më e lartë e raportuar nga çdo vend tjetër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Kandidatja demokrate për nënpresidente, Senatorja nga Kalifornia Kamala Harris, me gjuhën ndoshta më therëse deri më tani, tha se, në kohën e rritjes së kërcënimit nga virusi, Donald Trump nuk veproi dhe  ky ishte “një vendim vdekjeprurës për njerëzit”.

“Donald Trump ngriu. Ai u frikësua. Dhe ishte i vogël dhe hakmarrës”, tha ajo në një fjalim të drejtpërdrejtë nga Universiteti “George Washington” në Uashington.

Në daljen e saj të parë e vetme gjatë fushatës, zonja Harris tha se zoti Biden ka propozuar një plan për të luftuar COVID-19, ndërsa presidenti aktual ende nuk ka ndonjë plan.

“Nuk ndalet me një mesazh në Twitter”, tha ajo.

Zonja Harris tha se Presidenti Trump ka dështuar të bëjë detyrën më themelore të një presidenti, që është mbrojtja e popullit amerikan.

Presidenti Trump ka theksuar në mënyrë të përsëritur vendimin e tij të fundit të janarit për të ndaluar hyrjen e kujtdo që kishte qenë në Kinë gjatë 14 ditëve paraprake, vendim ky që erdhi menjëherë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.

Presidenti ia atribuon veprimit të tij shpëtimin e mundshëm të miliona jetëve të amerikanëve dhe thotë se zoti Biden e kritikoi në atë kohë.

Një ditë pas masës së ndalimit për Kinën, zoti Biden e quajti Presidentin Trump ksenofob. Ai tha se presidenti duhet të marrë vendime bazuar në shkencë. Por, demokratët pretendojnë se ish-nënpresidenti po e kritikonte Presidentin Trump në përgjithësi dhe jo për këtë politikë specifike.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*