Bie norma e interesit të bankave për kredi, ekspertët shohin mundësi për më shumë ulje

Prishtinë, 26 prill 2018 – Normat e interesit për kredi në Kosovë kanë shënuar rënie të lehtë këtë vit, kahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Besnik Kada nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë në Basnkën Qendrore të Kosovës, në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se normat e interesit për kredi kanë pasur trend rënieje në vitet e fundit dhe se ky trend pritet ta dominojë edhe vitin 2018.

Kada ka thënë se norma mesatare efektive e interesit deri në muajin shkurt ishte 6.9 për qind.

“Norma efektive e interesit në kredi në muajin shkurt 2018 është 6.9 për qind. Ndërkaq, sa i përket interesit për ekonomitë familjare, norma efektive qëndroi në 7.3 për qind, kurse për ndërmarrjet në 6.6 për qind, prej të cilave 5.5 është bujqësore”, ka thënë Kada.

Ai ka thënë se në fund të muajit shkurt të vitit 2018 vlera e pëgjithshme e kredive të lëshuara nga bankat komerciale në Kosovë ishte 2.49 miliardë euro. Prej tyre, 901.3 milionë euro janë kredi për  ekonomitë familjare, kurse 1.58 miliardë euro kredi për ndërmarrjet.

Berat Rukiqi, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë se rënia e normës së interesit për kredi është lajm i mirë për ekonominë.

“Normat e interesit kanë shënuar rënie dhe ky është lajm i mirë për bizneset. Ka nxitur aktivitet më të madh në sektorin privat dhe rritje të investimeve. Bizneset nuk i trajtojnë më normat e interesit si barrierë kryesore”, ka thënë Rukiqi për Koha.net.

Por, sipas tij, ka ende hapësirë që normat e interesit të jenë edhe më atraktive për bizneset, sidomos për projekte investive që kanë kthim më të ngadalshëm.

Sipas BQK-së, norma mesatare efektive e interesit gjatë vitit 2016 ishte 7.6 për qind – 7.8 për ekonomitë familjare dhe 7.3 për qind për ndërmarrjet. (r.m.)

Comment

*