Bie prodhimi “Trepçë”, për 6 muaj – 6 mijë tonë xehe më pak

Prishtinë, 6 shtator 2017 – Miniera e “Trepçës” në Stan Tërg vazhdon të ballafaqohet me vështirësi të mëdha, ndonëse Ligji për Trepçën, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, në fillim të tetorit të vitit 2016, garantonte zhvillim të shpejtë, pasi që gjiganti ekonomik kosovar i kthehej “shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Në vitin 2017 prodhimi ka shënuar rënie të dukshme krahasuar me vitin 2016. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë prodhuar 6 mijë tonë xehe më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Me prodhimin aktual, menaxhmenti i “Trepçës” ka arritur t’i sigurojë pagat për 1360 punëtorë, sa punojnë aktualisht.

Qeveria e Kosovës, prej se është miratuar Ligji për “Trepçën”, nuk ka arritur t’i formojë dy bordet drejtuese të kombinatit, Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues, kështu që gjithçka ka mbetur në duart e drejtorit menaxhues Ahmet Tmava.

Tmava thotë se është duke e shtyrë “me gjoks” punën në “Trepçë”, pasi ai nuk ka ende asnjë lloj përkrahjeje nga Qeveria e Kosovës, sepse institucionet e vendit nuk kanë bërë asnjë hap përpara për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e “Trepçës”.

Ai i ka thënë gazetës “Zëri” se kombinzti përbllet me vështirësi e probleme të mëdha, të cilat nuk mund të zgjidhen derisa të funksionalizohet Qeveria e re, e cila pritet ta vazhdojë procesin e transformimit të kombinatit “Trepça” nga ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike. (r.m.)

Comment

*