Bien për 24 milionë euro investimet e huaja direkte në Kosovë

Prishtinë, 15 prill 2019 – Investimet e huaja direkte kanë pësuar një rënie prej 9.2 për qind gjatë vitit 2018. Nga 255.4 milionë euro, sa ishin në vitin 2017, ato kanë rënë në 231.7 milionë euro apo 23.7 milionë euro më pak.

Nga kjo rënie është prekur më së shumti sektori i ndërtimit, ai i industrisë dhe ai i transportit e komunikimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, shkak për këtë rënie të vazhdueshme të investimeve, është jostabiliteti politik, korrupsioni dhe barrierat burokratike.

Sipas tyre, Qeveria nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për nxitjen e investimeve të huaja dhe ato pas interesimit po largohen për në vendet e tjera të Ballkanit.

Ata thonë se nuk mjaftojnë thirrjet për investime pa oferta konkrete për investitorët.

sipas tyre, e tillë ka qenë edhe letra e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, i cili i ka bërë thirrje Kompanisë Volkswagen për investime në Kosovë, pas paralajmërimeve që kishte bërë kjo kompani për një investim rreth 1.4 miliardë euro në Evropën Juglindore. (r.m.)

Comment

*