“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia me gëzim e dashuri, festuan 9 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Që nga përvjetori i parë, shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, me dashuri e madhështi, gjithmonë e feston ngjarjen e madhe të historisë sonë kombëtare: Shpalljen e Pavarësisë së Kosovësë. Kështu ndodhi edhe të shtunën më 18 shkurt. Në godinën e Shoqatës u mblodhën shumë bashkatdhetarë për ta festuar këtë ditë të madhe për Kosovën dhe gjithë kombin tonë. Mjediset e shoqatës ishin zbukuruar për këtë festë të madhe, jehonte muzika e bukur shqiptare me motive atdhetare. Gëzimi e krenaria shprehej në fytyrat e qeshura të të gjithë pjesëmarrësve ne këtë veprimtari, nga të gjitha trojet tona etnike. Kemi për çka të gëzohemi, sepse pas vuajtjeve shekullore nën thundrën e Serbisë, pas përpjekjeve mbinjerëzore dhe një lufte të pandërprerë 100 vjeçare, shqiptarët e Kosovës ngadhnjyen, dolën fitimtarë dhe më 17 Shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur, shtet i njohur nga fuqitë më të mëdha dhe nga demokracitë më të përparuara të botës. Është ky një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftërave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave përparimtare e atdhetare, luftës heroike të UÇK-së, punës së madhe të diasporës shqiptare të Amerikës dhe Europës dhe ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë, sidomos ShBA-të dhe aleanca e NATO-s – një bashkëveprim i bashkërenduar mirë i faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar.

Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, zoti Tajar Domi, icili u deshiroi të pranishmëve mirëseardhjen, duke iu uruar atyre këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ngjarjen e dytë më të madhe të kombit shqiptar, pas shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Pastaj ai vazhdoi me një pasqyrë të ngjarjeve dhe përpjekjeve të disa figurave qëndrore, duke filluar nga Periudha e Lidhjes së Prizrenit e gjer në ditët tona: Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Isa Boletini, Idriz Seferi, Shote dhe Azem Galica, Shaban Polluzha, Ibrahim Rugova, Adem Jashari e shumë të tjerë. Në vazhdim ai ceku disa të arritura të Kosovës në fushën e sportit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë dhe shprehu dëshirën që udhëheqësit e Kosovës me punë të përkushtuar ta çojnë vendin përpara drejt integrimeve perëndimore, organizatave botërore, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB.

Referatin kryesor të veprimtarisë me titull : “UÇK – Roli i saj ne çlirimin e Kosovës” e mbajti zoti Petrit Zanaj, ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe ish pjesëtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Siç tregon edhe vetë tituli, ai kryesisht u përqëndrua në rolin e UÇK-se për çlirimin e Kosovës. “Që në fillim do të theksoja se për ushtarakët aktivë e profesionistë, pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës, UÇK-ja dhe roli i saj në Luftën Çlirimtare janë të shënjta, jo vetëm si simbol, por veçanërisht edhe si produkt në çështjen kombëtare në tërësi dhe atë kosovare në veçanti”, theksoi ai. Pastaj ai bëri një përshkrim të organizimit dhe taktikave ushtarake të UÇK-së si një organizim ushtarak, masovizimin e saj për një periudhë shumë të shkurtër kohore, dukuri e paparë gjer atëherë në hapësirat tona, madje edhe në botë. UÇK-ja kishte një përparësi, epërsi mbi forcat armike, sepse ajo po luftonte në vendin e saj, ata e njihnin mirë terrenin, prandaj, pjesëtarët e UÇK-së e kishin lart moralin luftarak, ishin më të motivuar për të luftuar për Kosovën dhe gëzonin përkrahjen, mbështetjen e popullit të Kosovës dhe figurave më të njohura intelektuale të kombit tonë. Edhe Petriti, duke analizuar faktorët dhe teoritë e ndryshme për çlirimin e Kosovës erdh në përfundim se: “Kosova u çlirua nëpërmjet veprimeve të bashkërenduara luftarake të forcave të NATO-s, kryesisht ato ajrore, me forcat e UÇK-së që luftonin në terren, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Veprimtaria pastaj mori formen e nje bashkëbisedimi ku shume bashkatdhetarë shprehen ndjenjat dhe mendimet e tyre për këtë ngjarje të madhe kombëtare. Zoti Maliq Arifaj, veprimtar veteran i çështjes shqiptare dhe asaj kosovare në diasporën e Amerikës, foli me emocione për mbështetjen, solidarizimin, mikpritjen që populli shqiptar u ofroi vëllezërve te tyre nga Kosova. Lumni Shurdhiqi tregoi sesi i kishte përjetuar fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe më vonë hyrjen e tyre në Kosovën e lirë. Ai vlerësoi figurën e Dr. Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit si dy shtyllat kryesore të pavarësisë së Kosovës. Zonja Suzana Vangjeli përcolli mesazhin e madh të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Pastaj ajo recitoi disa vargje nga poema e fuqishme e Mitrush Kutelit, “Poem Kosovar”: “Jam shqiptar e kosovar…”. Zoti Abedin Teme theksoi përkrahjen e vëllezërve çamë për vëllezërit e tyre kosovarë, si dhe angazhimin e shqiptarëve të Çamërisë ne Lidhjen e Prizrenit. Ndërsa në luftën e fundit, shumë familje kosovare ishin vendosur në Vlorë, ku ai jetonte atëherë. Po ashtu, zoti Hamdi Gjana, nga Kukësi, foli për gjendjen e atyre ditëve në qytetin e Kukësit, ku me dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova ishin vendosur në atë qytet, për t’u shpërngulur më vonë në vendbanimet tjera në të katër anët e Shqipërisë. Madje edhe ai vetë kishte strehuar disa familje në apartamentin e tij të vogël. Zoti Bujar Çela foli për përvojën e tij si pjesëtar i Forcave të Armatosura te Shqipërisë, misionin e tij paqëruajtës ne Bosnje dhe kontaktet që kishte patur me kuadrot ushtarake të Kosovës, entuziazmin dhe përkushtimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës. Ai kishte thurur edhe disa vargje për këtë rast, të cilët i lexoi para të pranishmëve. Sadik Elshani, ish kryetar i shoqates “Bijte e Shqipes”, njeheresh edhe thurës i këtyre rreshtave, u kujtoi të pranishmëve se përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës kishin filluar qysh atë ditë kur fuqitë e mëdha me vendimet e Konferencës së Londrës, padrejtësisht e ndanë Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare nga Dheu Mëmë. Këto përpjekje ishin këmbëngulëse dhe të vazhdueshme, të pandërprera, duke shfrytëzuar të gjitha format dhe të gjitha mjetet kryengritëse. Pastaj ai përmendi edhe disa ngjarje të rëndësishme nga historia e Kosovës, sidomos periudhën pas vitit 1966, kur ministri famëkeq i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviq, u shporr nga skena politike. Pas vitit 1968 e këndej filloi një ringjallje kulturore, arsimore, atdhetare në Kosovë që kulmoi me themelimin e Universitetit të Prishtinës, hapjen e shumë shkollave të mesme, botimet e shumta, etj. Historia sado e lavdishme, është histori, tani duhet të përqëndrohemi që të ndërtojmë një shtet modern me institucione funkcionale demokratike. Dhe për këtë është i nevojshëm angazhimi i të gjithëvë, sidomos atyre që janë në pozita udhëheqëse, theksoi ai. Udhëheqësit e shtetit, organeve shtetërore dhe partive politike duhet të heqin dorë nga zënkat e ulëta, fyerjet, sharjet dhe akuzat e ndërsjella dhe t’u rreken me seriozitet e përkushtim çështjeve madhore të kombit tonë. Përvoja jonë historike me Serbinë dhe ngjarjet e kohëve të fundit janë dëshmi se provokimet, intrigat, kërcënimet, ëndrrat e tyre për Kosovën nuk pushojnë kurrë.

Pas këtyre diskutimeve, veprimtaria vazhdoi me një program artistik të pasur, të përgatitur me disa video me recitime e muzikë të zgjedhur me tematikë, përmbajtje atdhetare që u pëlqyen nga të gjithë të pranishmit. Me këtë rast, sipas traditës së shoqatës sonë, u shtrua një koktej i pasur me pije e ushqime të shijshme – si për festë. Në kekun e stolisur me flamurin e Kosovës shkruhej: “Gëzuar 9 Vjetorin Kosovë”! Atmosfera ishte mjaft e gëzueshme, ngazëllyese, kënga dhe vallja vazhduan gjer në orët e vona të mbrëmjes. Të gjithë e kishin në mendje përvjetorin e ardhshëm, 10 vjetorin, dhe që tani kanë filluar përgatitjet për ta festuar këtë ngjarje ashtu si është më mirë e me madhështi.

Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe gjithë kombin tonë, shtetit të dytë shqiptar i urojmë mbarësi e përjetësi. Gëzuar!

Sadik Elshani

Filadelfia, 22 Shkurt, 2017
01

02

03

04

05

06

07

Comment

*