“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia me dinjitet e madhështi festuan 11 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Njëmbëdhjetë vite më parë, më 17 shkurt të vitit 2008 u shpall Pavarësia e Kosovës – ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, kuptohet, edhe për shoqatën tonë. Atë ditë në mjediset e shoqatës “Bijtë e Shqipes” gjatë tërë ditës mbretëroi një atmosfëre festive, gëzimi e krenarie, bashkatdhetarët festonin e uronin për këtë Ditë të Madhe për gjithë kombin tonë. Dhe tani shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia ka krijuar një traditë të bukur, duke festuar gjithmonë me dashuri e madhështi përvjetorët e kësaj ngjarje të madhe të historisë sonë kombëtare: Shpalljen e Pavarësisë së Kosovësë. Kështu ndodhi edhe të shtunën më 16 shkurt. Zakonisht këtë festë e festonim me të gjithë bashkatdhetarët në mjediset e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, por këtë vit vendosëm ta festonim pak më ndryshe, ne nje lokal me darkë solemne e program muzikor. Për këtë mbrëmje festive zgjodhëm restorantin “Garden of Eatin” në Levittoën (paralagje e Filadelfias), një mjedis i rregulluar bukur, me pronar bashkatdhetarin tonë dhe veprimtarin shumëvjeçar të bashkësisë shqiptaro – amerikane, z. Ahmet Zeka, nga Ulqini. Salla e restorantit ishte zbukuruar me flamujt kombëtarë: amerikan e shqiptar, si dhe atë të shtetit të Kosovës, ndërsa në ekran projektoheshin pamje të ndryshme dhe simbolet tona kombëtare. Pak nga pak salla u mbush plot me bashkatdhetarë. Gëzimi, krenaria shprehej në fytyrat e qeshura të të gjithë pjesëmarrësve ne këtë mbrëmje festive, nga të gjitha trojet tona etnike. Kemi për çka të gëzohemi, sepse pas vuajtjeve shekullore nën thundrën e Serbisë, pas përpjekjeve mbinjerëzore dhe një lufte të pandërprerë 100 vjeçare, shqiptarët e Kosovës ngadhnjyen, dolën fitimtarë dhe më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur, shtet i njohur nga fuqitë më të mëdha dhe nga demokracitë më të përparuara të botës. Wshtë ky një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftërave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave përparimtare e atdhetare, luftës heroike të UÇK-së, punës së madhe të diasporës shqiptare të Amerikës dhe Europës dhe ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë, sidomos ShBA-të dhe aleanca e NATO-s – një bashkëveprim i bashkërenduar mirë i faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar.
Mbrëmjen festive e hapi kryetari i shoqatës, zoti Bujar Gjoka, icili u dëshiroi të pranishmëve mirëseardhjen, duke iu uruar atyre këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ngjarjen e dytë më të madhe të kombit shqiptar, pas shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Pasta jai vazhdoi me një pasqyrë të ngjarjeve dhe përpjekjeve të disa figurave qëndrore të historisë sonë shumëshekullore. Në vazhdim ai ceku disa të arritura të Kosovës në fushën e sportit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë dhe shprehu dëshirën që udhëheqësit e Kosovës me punë të përkushtuar ta çojnë vendin përpara drejt integrimeve përendimore, organizatave botërore, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Pastaj z. Gjoka i njoftoi shkurtimisht të pranishmit për punën dhe veprimtaritë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe sidomos për punët dhe përpjekjet këmbëngulëse që shoqata dhe bashkësia jonë janë duke i bërë për meremetimin, rregullimin e godinës sonë të re. Si në çdo takim tonin, edhe me këtë rast, zoti Gjoka u bëri thirrje bashkatdhetarëve për të mos i kursyer ndihmat për ta kryer me sukses këtë projekt madhështor të një rëndësie të madhe, jo vetëm për bashkësinë shqiptaro – amerika të Filadelfias, por për tërë diasporën tonë në Amerikë e gjetiu. Do të krijojmë kushte shumë më të mira për mbarëvajtjen e punës së shkollës, shoqatës dhe të bashkësisë sonë.
Fjalën e rastit e mbajti zoti Maliq Arifaj, veprimtar veteran i çështjes shqiptare dhe posaçërisht asaj kosovare në diasporën e Amerikës. Ai fillimisht e falenderoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për këtë nderim që i bëjnë atij dhe brezit më të hershëm të emigrantëve shqiptarë në Amerikë. Si një njeri që ishte larguar qe në moshë të re nga Kosova dhe që për 33 vite nuk ka mundur ta vizitonte vendlindjen e tij, ai foli me shumë emocione për përvojën e tij jetësorë këtu në Amerikë, për ndihmën që i kanë dhënë bashkatdhetarët tanë, sidomos: Tahir Kërrnaja, profesor Sami Repishti, profesor Rexhep Krasniqi, vëllezërit Bytyçi e shumë të tjerë. Duke nënkuptuar se ndër vite për lirinë e Kosovës kanë punuar e luftuar breza të tërë shqiptarësh në mënyra të ndryshme, z. Arifaj u përqëndrua më tepër në veprimtaritë që bashkatdhetarët kanë organizuar në Nju Jork e qytete të tjera të Amerikës. Kjo edhe për faktin se këto veprimtari nuk janë aq të njohura për një pjesë të mirë të emigrantëve më të rinj shqiptarë: “Pa vonesë aktivitetet filluan për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës: krijimi i organizatës ‘RINIJA SHQIPTARE KOSOVARE NË BOTËN E LIRË ‘, për të ngritur zërin për ata që nuk dëgjoheshin nga bota e jashteme. Misioni ynë kryesorë ka qenë për të informuar opinionin publik mbi gjendjen e mjeruar të popullit shqiptarë nën thundrrën e aparatit shtetëror të Jugosllavisë. Format e denoncimit kanë qenë të ndryshme, por gjithnjë paqësore, si për shembull: Memorandume drejtuar OKB – së, apele tek zyrtarët e lartë amerikanë e popullit të gjërë, me shpërndarje të afisheve të ndryshme pranë Grand Central Station në Nju Jork e protesta para ambasadave e misioneve jugosllave me seli në Nju Jork, Uoshingotn e gjetiu. Pa ambicje pozite apo pretendime njohjeje!” Në vazhdim ai foli për jehonën e këtyre veprimtarive që ngjallnin në Nju Jork, madje edhe te kalimtarët e rastit; foli edhe për vullnetin, entuziazmin dhe energjitë e pashterrshme të veprimtarëve shqiptarë. Në përfundim të fjalës së tij, z. Arifaj u shpreh me plot entuziazëm: “E sonte si mos të festojmë këtë mbrëmje madhështore, ëndërr e realizuar e gjeneratave të tëra.Ju falemnderit për vëmendjen tuaj dhe po i perfundoj këto fjalë me rreshtat e mësuesit të dashur Kosovar, Destan Bajraktari (nga Suhareka, tani Theranda), i cili shkroi para ca dekadave: “Adhuroj dashurinë, mjaft e dua Kosmetin (siç thuhej aso kohe për Kosovën ), por sa Shqipërinë etnike, nuk e dua as vetin!” Faleminderit!”
Bisedat vazhdonin në mes të bashkatdhetarëve për çështjet shqiptare, gjendjen në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera shqiptare. Të gjithë pajtoheshin se, historia sado e lavdishme, është histori, tani duhet të përqëndrohemi që të ndërtojmë një shtet modern me institucione funkcionale demokratike, duke përmbushur kështu idealet dhe ëndrrën e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës. Dhe për këtë është i nevojshëm angazhimi i të gjithëvë, sidomos atyre që janë në pozita udhëheqëse. Udhëheqësit e shtetit, organeve shtetërore dhe partive politike duhet të heqin dorë nga zënkat e ulëta, fyerjet, sharjet dhe akuzat e ndërsjella dhe t’u rreken me seriozitet e përkushtim çështjeve madhore të kombit tonë. Përvoja jonë historike me Serbinë dhe ngjarjet e kohëve të fundit janë dëshmi se provokimet, intrigat, kërcënimet, ëndrrat e tyre për Kosovën nuk pushojnë kurrë. Një vemendje e posaçme u kushtohej edhe ngjarjeve më të fundit, bisedimeve me Serbinë, shqetësimin për mundësinë e ndryshimit të kufijve, ndarjen e Kosovës.
Gjatë tërë kohës atmosfera ishte mjaft e gëzueshme, ngazëllyese, kënga dhe vallja vazhduan gjer në orët e vona të mbrëmjes. Për këtë u kujdes DJ i talentuar, z. Zeka, i biri i pronarit të restorantit. Jehonin këngët dhe vallet nga të gjitha krahinat shqiptare. Edhe ushqimet ishin mjaft të shijshme e të përgatitura si për festë. Gjithashtu u ndanë edhe ca mirënjohje për disa bashkatdhetarë të dalluar. Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj mbremje ishin shumë të kënaqur dhe shprehën dëshirën që të organizojmë sa më shpesh mbrëmje të tilla të hareshme familjare.
Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe gjithë kombin tonë, shtetit të dytë shqiptar i urojmë mbarësi e përjetësi. Gëzuar!

Sadik Elshani
Filadelfia, shkurt, 2019

Comment

*