Bisedime për arsim, njohje diplomash, shkencë e teknologji Shqipëri-Kosovë

Në Tiranë u takuan ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami

 

Denion Ndrenika

Shqipëria dhe Kosova vazhduan bisedimet për njehsimin e plotë të sistemit arsimor, njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe shtrirjen dhe forcimin e bashkëpunimit në kërkim shkencor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami udhëhoqën bisedimet edhe me grupet punues.

Ministri Bajrami theksoi se do të ketë rezultate konkrete për njehsimin e arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Zoti Bajrami shprehu kënaqësinë që ndodhet në Tiranë për këtë takim të përbashkët pune dhe theksoi se do të punohet më tej për vazhdimin e bashkëpunimin mes dy vendeve.

Kurse, ministrja Nikolla tha megjithatë se njehsimi i sistemit kërkon punë të madhe derisa të arrihet.

Ministrja Nikolla, sipas ATSH-së e cilësoi takimin si një takim të kthyer në traditë të përbashkët pune, ku mundësohet trajtimi i çështjeve dhe problematikave që lidhen me fushën e arsimit.

Në tryezë u diskutuan, sipas agjencisë, pika të rëndësishme, siç është ajo e një sistemi të përbashkët kurrikular midis dy vendeve për arsimin parauniversitar, fushën e arsimit të lartë, profesionet e rregulluara dhe njohjen e diplomave dhe titujve të arsimit të lartë.

Njejtë si më herët ministrat mbeten të angazhuar për njohjen e ndërsjellë të diplomave.

Zonja Nikolla tha se Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën për projektligjin e profesioneve te rregulluara. Në profesionet e rregulluara përfshihen mjeku, stomatologu, farmacisti, infermieri, mamia, arkitekti dhe inxhinieri.

“Kemi shumë për të bërë, por kemi edhe detyra të vendosura nga mbledhja e fundit e përbashkët e dy qeverive tona, pa lënë mënjanë, një sektor shumë të rëndësishëm që lidhet me diasporën, ku kemi vendosur një agjendë të përbashkët veprimi, për të vijuar me tekstet, cilësinë e tyre dhe përmirësimin e punës sonë për mësimin e gjuhë e kulturës shqipe”-tha zonja Nikolla.

Ministrat Nikolla dhe Bajrami u pajtuan që rektorët universitarë të mblidhen për shkëmbyer përvojë.

Comment

*