Bisedime të pafrytshme në Këshillin Politik për reformën Zgjedhore

Këshilli Politik mblidhet në Tiranë për të diskutuar disa ndryshime kushtetuese që kanë rrezikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën Zgjedhore.

Knid Ndrenika

Në Shqipëri reforma Zgjedhore rrezikohet të zhbëhet pasi shumica socialiste miratoi disa ndryshime kushtetuese që nuk janë të përfshira në të.

Opozita e Bashkuar Demokratike thotë se heqja e koalicioneve dhe hapja e pjesshme e listave të kandidatëve për deputetë, rrëzojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Qeveria thotë se marrëveshja e 5 qershorit nuk preket nga ndryshimet kushtetuese.

Këshilli Politik mblidhet në Tiranë për të diskutuar disa ndryshime kushtetuese që kanë rrezikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën Zgjedhore.

Opozita e Bashkuar Demokratike thotë se me heqjen e koalicioneve parazgjedhorë dhe listat e hapura pjesërisht të kandidatëve për deputetë, qeveria synon të ulë votat kundër në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të 2021-it.

Në Këshillin Politik për herë të parë merr pjesë kryetari i socialistëve, kryeministri Edi Rama si dhe dy përfaqësues të tjerë të Opozitës së Bashkuar.

Marrëveshja e 5 qershorit u arrit në Këshillin Politik që përbëhet nga Opozita e Bashkuar jashtë Kuvendit, nga opozita që zëvendësoi deputetët që bojkotuan dhe socialistët në qeveri.

Kryeministri Rama ritheksoi se PS i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit dhe se do të mundohet të bindë opozitën parlamentare të jetë më fleksibël.

“Ky është dhe problemi im i madh se ne jemi më të mëdhenjtë që janë dy palë më të vogla që duan të gjitha dhe nuk i hapin rrugë njëra tjetrës. Do mundohemi të bindim opozitën parlamentare të jetë më fleksible. Mbase do arrijmë të kemi një mbështetje të mjaftueshme sepse opozita parlamentare nuk është vetëm një parti politike. Kanë një qëllim të përbashkët, shumica dërrmuese e tyre për ndryshimet në Kushtetutë për të cilat ne biem dakord”-tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm e demokratëve i pranishëm në mbledhje, Gazment Bardhi, tha PS dhe kryeministri Rama kërkojnë të rihapen çështje të miratuara në 5 qershor dhe se nuk mund të hidhet në kosh puna gjashtëmujore.

“Sot kërkuam informacion nga Rama mbi angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të kësaj marrëveshje në Kuvend, se kur do të ndodhë miratimi i saj. Nuk kemi marrë përgjigje gjatë takimit se kur miratohet pa ndryshime. Së dyti, dua të konfirmoj që ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit. Nga ajo marrëveshje të gjitha palët nuk moirën gjithcka kërkuan, por u mbështet nga partnerët tanë. Sot na u konfirmua që ne do të duhet të rihapim edhe njëherë çështje që i kemi nënshkruar në marrëveshjen e 5 qershorit”-tha ai.

Pas mbledhjes thuajse 5-orëshe, kryetari i deputetëve demokratë të opozitës kuvendare, Myslym Murrizi tha se nuk ndryshon qëndrim dhe as jepen vota pa lista të hapura dhe pa ndryshime kushtetuese.

“Opozita parlamentare ishte aty në një tryezë me të gjithë faktorët politikë për ti qëndruar ndryshimeve kushtetuese, hapjen e listave dhe pasi të hapim listat, do të rishikojmë Kodin Zgjedhor që të mos ketë militantë dhe hajdutë që tjetërsojnë votën e shqiptarëve. Kjo është kërkesa jonë, këto bashkë le të rrijnë. Ishalla Pallati i Kongreseve ka krevat e të flejnë në darkë. Mbledhja ka mbaruar por u futën prapë se është dashuri e vjetër. Unë jam aty si përfaqësues i 28 deputetëve. Opozita ka dhe 12 deputetë të tjerë pavarur. Erdha të jem dëshmitar i kopillëqeve të këtyre. Ju them vazhdoni me bodrumin e pallatit të kongreseve, nuk merrni kokërr vote nga opozita për pazarin tuaj për ta mbajtur të fshehur deputetin popullit”-tha ai.

Firmëtarja e marrëveshjes së 5 qershorit, Rudina Hajdari që nuk e la mandatin e deputetes të fiktuar nën siglën e PD-së, tha se nuk kishte reflektim për ndryshimet kushtetuese.

“I bëj thirrje opozitës jashtëparlamentare, Bashës që të mos i rreshtojë demokratët në rresht me njerëzit që duan listat e mbyllura. T’i rreshtojë për të mbështetur listat e hapura. Kemi shansin historic, për të përqafuar një kauzë që do e ndihmonte opozitën në ndryshime rrënjësore në zgjedhjet e ardhshme. Nëse mendoni se në këtë Këshill Politik vihet për një marrëveshje, dhe me ç’pashë pranuar që marrëveshja nuk është e plotë, që nuk adreson shit- blerjen e votës. Kam një pyetje për Bashën, pse e braktise parlamentin, pse i çove në rrugë, dhe minimum të luftoje për shit-blerjen e votës. Ke premtuar që në zgjedhjet e ardhshme do mbështesësh listat e hapura. Kjo është një thirrje që opozita të rreshtohet me kauzën, jo me Rudinën as me Murrizin, por, me qytetarët që duan. Marrëveshja e 5 qershorit është pikënisje, jo fundi i rrugës. Nuk mundet që demokratët të lënë negocimin e kësaj marrëveshje nga një person që nuk ka tagrin e një vote”- tha ajo.

“Qoftë Bundestagu, qoftë Këshilli Europian nuk i kanë vënë kushte Shqipërisë që t’i marrë pëlqimin Lulzim Bashës, të partive jashtë parlamentit për nismat që parlamenti ndërmerr në cilësinë e ushtruesit të vullnetit sovran të popullit shqiptar”tha më herët zoti Rama.

Të gjithë ndërkombëtarët si dhe presidenti Ilir Meta kërkojnë miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit pa ndryshuar Kushtetutën.

Kurse, presidenti theksonte se “ndryshimet e propozuara, veç antikushtetutshmërisë, do të krijojnë përplasje të fortë me këtë dispozitë që i njeh kompetencën Presidentit për emërimin e Kryeministrit që ta pranojë nga partia apo koalicioni që ka marrë shumicën e vendeve pas procesit zgjedhore”.

Comment

*