Bislimi: FMN aprovon 52 milionë euro për Kosovën

Prishtinë, 10 prill 2020 – Ministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Besnik Bislimi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Bordi i drejtorëve ekzekutivë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka aprovuar një ndihmë financiare për Kosovën në vlerë prej 52 milionë eurosh.

Kjo ndihmë është miratuar pas vlerësimit të ndikimit ekonomik e fiskal të masave për përballimin e pandemisë Covid-19.

Ministri Bislimi ka thënë se ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin dhe ka shtuar se në ditët dhe javët në vijim priten edhe aprovime të financimeve edhe nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare.

Postimi i plotë i ministrit Bislimi:

NJE LAJM I MIRE NGA WASHINGTONI

Sot, me date 10 Prill, 2020 Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) aprovoi financimin për Kosovën në vlerë prej 52 milion EUR. Aprovimi i këtij financimi është bërë i mundur pas një serie të diskutimeve midis ekipit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe atij të FMN-së, mbi vlerësimin e ndikimit ekonomik dhe fiskal të masave që ndërlidhen me virusin COVID 19.

Ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin, dhe me këtë rast Ministria e Financave dhe Transfereve vlerëson lart mobilizimin e shpejtë të ekipit teknik të FMN-së dhe aprovimin e menjëhershëm të këtij financimi nga Bordi Ekzekutiv.

Në ditët dhe javët në vijim, presim edhe aprovime të financimeve nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare, si pjesë e mobilizimit tonë për gjetjen e burimeve shtesë të financimit, pas boshllëkut buxhetor, të krijuar nga ngjarjet e fundit.

(r.m.)

Comment

*