Bislimi: Kosova humb rreth 6 milionë euro në ditë, për shkak të pandemisë

Prishtinë, 5 maj 2020 – Ministri  në detyrë i Financave dhe Tranfereve në Qeverinë e Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova ka humbur rreth 6 milionë euro në ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ai ka parashikuar që deri në fund të muajit maj Kosova mund të humbë deri në 500 milionë eoro.

‘Dëmet ekonomike në tërësi ende nuk dihen pasi pandemia nuk ka përfunduar. Por, ajo që dihet deri më tani është se, përafërsisht në baza ditore pandemia shtetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 6 milionë euro. Nëse këto shumëzohen me 50 ditë deri tash që kemi pasur pandemi, i bie që në total kemi humbur në prodhim rreth 300 milionë euro. Të shtojmë këtu edhe ato që mund të humbin edhe gjatë muajit maj, derisa ekonomia plotësisht të kthehet në kapacitete të plota, i bie që në tërësi mund të humb 450 – 500 milionë euro. Në rast se pastaj ecim më ritën normal pjesën tjetër të vitit’, ka thënë Bislimi në një intevistë për Radion Evropa e Lirë.

Ministri Bislimi ka thënë se Qeveria e ka miratuar një pako emergjente për të mbëshetur bizneset e dëmtuara nga masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Por, ai ka theksuar se kjo pako nuk mund t’i sanojë dëmet që kanë pësuar bizneset.

‘Pakoja është emergjente, rrjedhimisht nuk mund të përmbyllë dhe nuk ka për synim përmbushjen e dëmeve që i shkaktohen ekonomisë. Pakoja emergjente vetëm garanton kalimin sa më të lehtë të kësaj faze. Mirëpo, as nuk kemi pretenduar se mbulojmë të gjitha humbjet dhe as nuk mundemi. Humbjet duhet të ndahen brenda të gjithë akterëve në ekonomi’, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e ndihmës që i shkon komunitetit të biznesit arrihet përmes pakos së rimëkëmbjes ekonomike, dizajnimi i së cilës do të fillojë gjatë kësaj jave.

Bislimi ka thënë se vlera e pakos pritet të jetë mbi një milliard euro. Por, ai ka pranuar se pjesa më e madhe e pakos do të mbulohet nga sistemi bankar.

‘Injeksioni është një miliard euro, mirëpo nevoja për një programim nga shteti është më pak se 300 milionë euro, për arsye se pjesa tjetër mbulohet nga sistemi bankar. Ne kemi aplikuar për kredi në disa institucione; në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i kemi marrë 50 milionë euro letra me vlerë, ia kemi shitur Trustit Pensional të Kosovës, kemi marrë nga Bashkimi Evropian mbi 100 milionë euro, nga Banka Zhvillimore dhe këto mjete do të shkojnë kryekëput për mbulimin e nevojave të Pakos së Rimëkëmbjes dhe, në të njëjtën kohë, ne parashohim një mbulesë të shpenzimeve për mallra dhe shërbime në masën e 50 milionë eurove dhe, njëkohësisht, rreth 100 milionë euro nga projektet kapitale. Të gjitha këto mjaftojnë për ndërtimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.

Bislimi ka thënë se për zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike është e domosdoshëm edhe rishikimi i Buxhetit për vitin 2020. Ai ka theksuar se për këtë është e nevojshme mbështetja e Kuvendit të Kosovës.

‘Krejt çka na duhet është një parlament funksional që nuk bllokon qeverinë, por ndihmon qeverinë për të ndihmuar bizneset’, ka theksuar ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës në detyrë.

[r.m.]

Comment

*