Bislimi: Ribrendimi politik – rruga e vetme e ringritjes së LDK-së

Prishtinë, 15 shkurt 2021 – Ish deputeti i Lidhjes Demokrattike të Kosovës (LDK), Faton Bislimi, u ka kërkuar ndjesë aktivistëve dhe votuesve besnikë të kësaj partie për humbjen e madhe që pësuan në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Bislimi, i cili ka qenë njëri ndër zërat më të arsyeshëm të LDK-së, ka përsëritur se gjendja në të cilën është katandisur kjo parti kërkon “reflektim të sinqertë, kurajo dhe përgjegjësi”.

Ai e ka kritikuar ashpër udhëheqjen e LDK-së për mungesë angazhimi. Këtë e shpreh simbolikisht, duke cituar një deklaratë të kryetarit të partisë, Isa Mustafa, i cili kishte thënë se zgjedhjet për kryetar të Prishtinës do t’I fitonte, siç ishte shprehur, “me duar në xhepa”.

“Strukja në heshtje na dëmtoi thuajase po aq sa ata që mendonin se fitohet gara elektorale me ‘duar ne xhepa’! “, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai ka thënë se e ardhmja e LDK-së varet nga gatishmëria dhe vullneti i udhëheqjes së saj “për t’i dalë zot” familjes së saj politike.

Bislimi ka përsëritur atë që e kishte thënë disa herë në paraqitjet e tij publike, se LDK ka nevojë për “ribrendim politik”.

Postimi i plotë i Bislimit:

Për aktivistët dhe votuesit tonë — falëmnderit nga thellësia e zemrës për qëndresën dhe besimin; dhe ndjesë prej shpirti për rezultatin që nuk e keni merituar!

Për LDK-në tonë — kjo është sfidë që kërkon reflektim të sinqertë, kurajo, dhe përgjegjësi për të nesërmen! Ecja jonë e mëtutjeshme politike tanimë mvaret nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mos heshtë dhe për t’i dalë zot familjes sonë politike! Strukja në heshtje na dëmtoi thuajase po aq sa ata që mendonin se fitohet gara elektorale me ‘duar ne xhepa’!

Unë nuk kam heshtë dhe s’do heshtë! E kam thënë më herët dhe po e përsëris: Ribrendimi politik për LDK-në është rruga; ringritja është qëllimi!

(r.m.)

Comment

*