Bislimi: Thaçi paska bërë plan të fshehtë me Vuçiqin, pa dijeninë e SHBA-së

Prishtinë, 26 mars 2020 – Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka reaguar pas komunikatës së Departamentit Amerikan të Shtetit ku mohohet se ka ndonjë plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Bislimi, në një postim në Facebook, nuk bindet se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë bërë plan për shkëmbim territoresh. Ai shkruan se shkruan se deklarata e ambasadorëve amerikanë tregon se Thaçi e ka bërë planin vetëm me Vuçiqin, pa u konsultuar me SHBA-të.

“Ata thonë se nuk kanë parë plan me shkëmbim. territorial. Kjo konfirmon edhe një herë se Thaçi të gjithë diskutimin publik dhe planin për shkëmbim territoresh e ka bërë pa u konsultuar me amerikanët, po vetëm me Vuçiqin”, shkruan Bislimi.

Ai thekson se në qëndrimin e tashëm të SHBA-së “ka një ndryshim” nga ai i deritashmi, por amerikanë nuk janë kthyer ende te “doktrina e vetme e arsyeshme” se “Kosova është e paprekshme në kufijtë e saj”.

“Megjithate, ka një ndryshim, më përpara thuhej se pranohet gjithçka që pajtohen palët (Serbia e Kosova), tash edhe pak mbetet që të kthehen te doktrina e vetme e arsyeshme, ajo që Kosova është e paprekshme në kufijtë e saj.

Deklarata e përbashkët e të të dërguarit të posaçëm të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorit Richard Grenell, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, dhe përfaqësuesit të posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, vjen pas deklaratës së Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë kanë në tavolinë një plan për shkëmbim terriroresh mes Kosovës e Serbisë.

Postimi i plotë i Bislimit:

Deklaratë e mirë për Kosovën kjo e diplomatëve amerikanë Grenell e Palmer

Duhet nënvizuar:

1 – Grenell&Palmer pohojnë se SHBA do të bashkepunojne me secilen qeveri te Kosovës që del nga proceset kushtetuese. Pra, nuk kanë qëndrim kundër një subjekti, siç kanë bërë propagandë disa persona në Kosovë.

2 – Diplomatët kërkojnë respektim të kushtetutës dhe jo individë që e vendosin veten mbi kushtetutën dhe mbi institucionet. Proceset kushtetuese për qeverinë ofrojnë këto opsione: zgjedhje të reja, mandatim i LV nga presidenti, e deri atëherë, vazhdim me qeverinë në detyrë. Dhe proceset kushtetuese për dialogun thonë se e udhëheq kryeministri.

3 – Ata thonë se nuk kanë parë plan me shkëmbim. territorial. Kjo konfirmon edhe një herë se Thaçi të gjithë diskutimin publik dhe planin për shkëmbim territoresh e ka bërë pa u konsultuar me amerikanët, po vetëm me Vuçiqin.

4 – Megjithate ka një ndryshim, më përpara thuhej se pranohet gjithçka që pajtohen palët (Serbia e Kosova), tash edhe pak mbetet që të kthehen te doktrina e vetme e arsyeshme, ajo që Kosova është e paprekshme në kufijtë e saj.

Aleanca e Kosovës me ShBA ndërtohet pikërisht mbi principe të tilla.

(r.m.)

Comment

*