Bizneset e Kosovës kërkojnë ehtësimin e masave për veprimtaritë ekonomike

Prishtinë, 25 prill 2020 – Oda Ekonomike e Kosovës bëri thirrje të shtunën që të fillohet me rihapjen e disa prej veprimtarive ekonomike të pezulluara për shkak të masave emergjente për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Masat tashmë kanë shkaktuar dëme të mëdha në sektorin ekonomik dhe sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind nga pasojat e pandemisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke paraqitur disa nga idetë për tejkalimin e situatës tha se rihapja do të duhej të fillonte me Prishtinës meqë ajo paraqet mbi 50 për qind të ekonomisë së vendit.

“Ne mendojmë se Prishtina duhet të largohet nga karantina që nga java tjetër ndërsa në nivel të Kosovës po ashtu nga duke filluar nga java e ardhshme të fillojnë sektorët që kanë siguri të ultë dhe ku situata mund të menaxhohetv mirë përfshirë distancën sociale, protokollet e sigurisë, dezinfektimin, prat e sektorët siç janë ndërtimtaria dhe pjesa tjetër që nuk lejohet për shkak të kufizimeve”, tha zoti Rukiqi.

Ai tha se është me rëndësi që të futen mjetet e pakos emergjente në qarkullim, një fond ky prej 180 milionë eurosh i miratuar nga qeveria e Kosovës ndërsa paraqiti disa hapa për mënyrën e hapjes së një pjese të veprimtarive ekonomike.

“Gjatë muajit maj duhet të fillohet tërë shitjet në zinxhirin e shitjes me pakicë, propozimi jonë është që kjo të lejohet në objektet deri 800 metra katrorë dhe kjo të jetë nga java e parë e majit, pastaj të mundësohet puna në tërë sektorin e shërbimeve duke filluar nga java e tretë e majit dhe në të njejtën kohë të hartohet një plan për hapjen graduale të sektorit të hoteleve, restauranteve dhe transportit të udhëtarë me rregulla, njejtë siç po bëjnë edhe shtetet evropiane”, tha ai.

Faza e tretë sipas Odës ekonomike të Kosovës duhet të përfshijë një plan për rimëkëmbjen e ekonomisë, meqë sipas kësaj ode 98 për qind e ndërmarrjeve në Kosovë janë të prekura nga efektet e pandemisë dhe se për të dalë nga kriza bizneseve u duhen deri në 600 milionë euro.

Rihapja është shndërruar në temë diskutimesh gjithandej botës së prekur nga COVID-19, ndërsa mjekët këkrojnë qasje të kujdesshme, sepse virusi nuk është larguar ende.

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të premten mbrëma 34 raste të reja të të prekurve të cilët e cuan në 703 numrin e përgjithshëm të të infektuarve 19 prej të cilëve tashmë kanë humbur jetën, ndërsa 162 janë shëruar.

Të gjitha rastet e konfirmuara të premten janë rrjedhojë e kontaktit me persona të infektuar më parë.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)

Comment

*