Bizneset e Kosovës pësojnë humbje për shkak të regjimit të vizave

Prishtinë, 20 qershor 2018 – Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se mungesa e liberalizimit të vizave po ndikon negativisht në zhvillimin e biznesit në vend.

Ata iu bëjnë thirrje ambasadave të Bashkimit Evropian, të akredituara në Kosovë, që të kenë një trajtim të posaçëm për komunitetin e biznesit, sa i përket dhënies së vizave.

Në një konferencë për media, përfaqësues të bizneseve thanë se koston e mungesës së liberalizimit të vizave është duke e vuajtur sektori privat.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se mungesa e liberalizimit të vizave po i dëmton afaristët kosovarë.

“Në OEK çdo ditë e më tepër kemi ankesa të komunitetit të biznesit sa u përket vizave. Si rezultat i mungesës së lirisë së lëvizjes, afër 39 për qind e bizneseve kanë përjetuar zvogëlim të aspekteve konkurruese; 38 për qind e bizneseve kanë rënie të eksporteve, ka biznese të cilat i kanë humbur partnerët e tyre të jashtëm”, tha Gërxhaliu.

Gjatë muajit qershor, pritet që BE-ja të japë vlerësimin e parë rreth kritereve të përmbushura për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.

Pritjet nga institucionet e Kosovës janë që këto procedura në BE të përmbyllen deri në fund të këtij viti.

(REL)

Comment

*