Bizneset informohen për masat e reja fiskale në Kosovë

Prishtinë, 15 dhjetor 2017 – Ndryshimet e paralajmëruara në pakon fiskale në Kosovë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga janari 2018, janë dizajnuar që të stimulojnë dhe të rrisin konkurrueshmërinë e sektorit të prodhimit dhe të teknologjisë së informacionit e komunikimeve.

Kështu është thënë sot, në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bizneset janë informuar mbi përmbajtjen e pakos fiskale.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se bizneset e kanë mirëpritur vendimin për ndryshimet në ambient fiskal, mirëpo ende ka nuk kanë informacion të plotë se çka përmban kjo pako dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të përfituar nga ajo.

Zeka ka thënë se tryezat si kjo e sotmja mund të ndihmojnë që bizneset të krijojnë ide më të qartë mbi përfitimet që ndryshimet do të sjellin, sidomos në mesin e kompanive të prodhimit dhe atyre të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Këshilltari Lulzim Rafuna ka thënë se, ashtu siç është paralajmëruar, nga 1 janar 2018 do të hyjnë në fuqi masat për lirimin doganor të lëndëve të para, gjysmëprodukteve, pajisjeve e linjave të prodhimit si dhe paisjeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Gjithashtu, ai ka sqaruar se të gjitha ato biznese prodhuese që marrin autorizimin e nevojshëm do të përfitojnë nga lirimi doganor dhe nga shtyerja e TVSH-së, si dhe do të lirohen nga tatimi doganor dhe akciza edhe për importet përmes kontraktorëve, në mënyrë që të lehtësohet kostoja për prodhuesit që nuk kanë mundësi ta importojnë vetë atë, transmeton AktivPress. (r.m.)

Comment

*