Bizneset mirëpresin grumbullimin e TVSH-së në brendi

Prishtinë, 30 korrik 2018 – Përfaqësuesit e bizneseve e kanë mirëpritur Iniciativën e Qeverisë për ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se mbledhja e TVSH-së në kufi, për t’u rimbursuar më vonë, ka qenë një ndër barrierat kryesore për shumë ndërmarrje, të cilat në mungesë të rrjedhës së parasë, shpeshherë për të mundësuar funksionimin e vet, janë detyruar të marrin hua.

Projektligji i ri, i hartuar nga Ministria e Financave, parasheh që mbledhja e TVSH-së për produktet e importuara të bëhet në brendi të vendit nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Deri më tani, këtë kompetencë e ka pasur Dogana.

Në Ministrinë e Financave kanë thënë se reforma në mbledhjen e TVSH-së është bërë si rezultat i kërkesave të bizneseve për vite të tëra, në mënyrë që TVSH-ja të mos paguhet me rastin e importit, por që kjo të bëhet në brendi. Kjo, sipas kësaj ministrie, do t’i ndihmojë bizneset, duke rritur likuiditetin, si dhe do t’u mundësojë zgjerim të tyre, duke i kursyer nga kreditë dhe interesat e ndryshme që janë marrë për ta paguar në avancë TVSH-në.

Por, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka thënë se transferimi i grumbullimit të TVSH-së nuk do të jetë proces i lehtë.

Sipas tij, kjo reformë paraqet sfidë për ATK-në, pasi që shtohet mundësia e shmangies nga tatimi.

Projektligji është harmonizuar edhe me direktivën e BE-së për TVSH-në. (r.m.)

Comment

*