Bizneset në Shqipëri: Vendimi për HEC-et e dëmton imazhin e vendit

Tiranë, 14 shkurt 2019 – Biznesi në Shqipëri ndjehet i pambrojtur ndaj vendimeve arbitrare të shtetit.

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, ka deklaruar se vendimi i ministres Belinda Balluku për pezullimin e kontratave për ndërtimin e hidrocentraleve është një sinjal negativ që jepet për biznesin në vend.

“Të bësh një thirrje dhe të njoftosh në mënyrë shkresore të gjitha subjektet, unë besoj që krijon klimë jo të favorshme për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, sepse ky është një sinjal që jepet edhe nga përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare. Në rastin konkret, urdhri i një ministri është një sinjal që nuk duhet parë aq thjesht, sepse çdo subjekt në fundore ka edhe atë frymën e asaj çfarë përçon ky urdhër”, ka thënë ai, cityon Ora News.tv.

Jaka ka thënë se sipërmarrësit e kanë humbur besimin edhe për shkak se gjykatat shumë herë janë vënë në anën e qeverisë.

“Në qoftë se nuk është në përputhje me ligjin (vendimi), normalisht që krijon dhe pasoja juridike për palët. Pastaj është gjykata ajo që vendos. Por, për hir të së vërtetës, sipërmarrësi e ka humbur besimin te sistemi i drejtësisë, sepse në shumicën e rasteve të gjitha vendimet jepen në favor të qeverisë”, ka shtuar Jaka.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë ka sugjeruar që kontratat e koncesioneve të skanohen rast për rast dhe jo të merren vendime në grup.

“Ka nevojë për një analizë. Një ministri që ka një marrëdhënie me një numër të madh koncesionarësh duhet ta ketë dhe një departament të veçantë që merret me trajtimin e koncesioneve. Ttrajtimi rast pas rasti, duke futur frymën dhe bashkëpunimin në komunikim, jam i bindur që shkojnë në zbatimin e ligjit me përpikmëri”, ka thënë ai.

Ministrja Brlinda Balluku, para disa javësh, ka dhënë urdhër për pezullimin e kontratave të koncesioneve sektorin e hidrocentraleve, por kanë mbetur shumë paqartësi se sa do të vazhdojë pezullimi dhe me çfarë ka të bëjë kontrolli i tyre. (r.m.)

Comment

*