Biznesmenët serbë ankohen për problemet e biznesit në veri

Prishtinë, 30 mars 2017 – përfaqësues të rreth 20 biznese që veprojnë në veri të Mitrovicës kanë marrë pjesë në një takim të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe me organizatën joqeveritare “Aktiv” nga Mitrovica Veriore.

Në këtë takim bizneset janë informuar për mundësitë e qasjes në subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, kurse biznesmenët serbë kanë paraqitur problemet dhe vështirësitë e shumta me të cilat ballafaqohen ata në punën e tyre të përditshme.

Radomir Veliçkoviq nga fshati Leshak, i cili merret me përpunimin e mishit të freskët, ka paraqitur një varg vështirësish me të cilat ballafaqohet gjatë importit, sigurimit bankar dhe kontrollit veterinar.

“Kemi një problem. nëse e fitojmë grantin nevojitet të kemi garanci bankare prej 100 mijë eurosh. Unë i kam kontaktuar bankat në veri, më kanë thënë deri në 50 mijë euro. Kështu, nëse e fitoj grantin, unë nuk do ta plotësoj kushtin që ta realizoj, sepse nuk e plotësoj atë kusht. Kemi problem nëse e fitojmë një grant. Unë e kam marrë një grant nga Komisioni Evropian. Para se ta marr atë kam shkuar në bankën time dhe kam kërkuar që të më garantojnë që nëse e fitoj grantin do të më mbështesin dhe do të më miratojnë kredinë në shumë prej 130 mijë eurosh. Por, kur e fitova grantin ata më thanë nuk lëshojnë fare kredi në veri”, ka thënë Veliçkoviqi.

Ai është ankuar se vështirësi për bizneset në veri paraqesin edhe dokumentet e identifikimit.

“Kemi patentë shoferë që nuk mund t’i shfrytëzojmë në jug. Unë e kam patent shoferin qe 30 vjet dhe tash unë duhet të paguaj një taksist që të më sjell këtu dhe të më ngarkojë ose e kam automjetin tim që është i regjistruar me KS, por nuk mund ta vozis se nuk kam patent shoferi të Kosovës”, ka thënë Veliçkoviq.

Kryetri i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i ka njoftuar biznesmenët serbë se në Kosovë ekziston edhe fondi për garantimin e kredive, ku ata mund të kenë qasje më të lehtë për kredi-marrje.

“Ju thatë që nuk ju kanë dhënë kredi. Sot janë mbi 10 banka komerciale. Përveç kësaj e kemi edhe Fondin për Garantimin e Kredive Bankare, të krijuar me mbështetjen e Qeverisë amerikane dhe të USAID-it. Fondi është goxha i madh. Ai do të jetë një nga alternativat që 50 për qind e kredisë suaj të garantohet nga ky fondi i përbashkët, i cili është bërë me qëllim të mbështetjes për sektorin privat’, ka thënë ai.

Ndërsa, Miodrag Miliçeviq, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Aktiv”, ka thënë se çështjet ekonomike kanë rëndësi vitale për zhvillimin e të gjitha bashkësive etnike në Kosovë. Ai ka shprehur bindjen se ky takim do të jetë kontribut për avancimin e bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme të veriut të Kosovës dhe institucioneve qendrore.

“Institucionet dhe ministritë përkatëse të linjës duhet të fuqizojnë prezencë e tyre në veri të Kosovës, por edhe të mundësojnë që edhe ju, pa kurrfarë hamendjeje edhe pa kurrfarë ndërmjetësimi të çfarëdo organizate, të keni qasje të papenguar në të gjitha institucionet dhe potencialet e mundshme. Sa i përket kësaj, OEK dhe Ministria e Bujqësisë mund të luajnë rol shumë të rëndëishëm në thellimin e bashkëpunimit mes bizneseve në veri dhe  institucioneve qendrore të Kosovës”, ka thënë Miliçeviq.

Ai ka thënë gjithashtu se është mirë që bizneset të kenë informata të dorës së parë.

Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rodolub Mladenoviq, ka treguar se cilat janë mundësitë për grantet e kësaj ministrie. Ai ka shprehur bindjen se shumë shpejt do të zgjidhet edhe problemi i lëvizjes së lirë.

Përfaqësuesit e bizneseve në veëri u njoftuan në detaje edhe lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe me institucionet tjera të vendit. (r.m.)

Comment

*