Bizneset gjermane shohin përmirësim të klimës për biznes në Shqipëri

Tiranë, 7 maj 2018 – Perceptimi i bizneseve gjermane për klimën e të bërit biznes në Shqipëri është përmirësuar dukshëm, krahasuar me një vit më parë.

Dy të tretat e kompanive gjermane që operojnë në Shqipëri e kanë vlerësuar “mirë” ose “kënaqshëm” mjedisin e të bërit biznes.

Në rritje është raportuar edhe ecuria e të ardhurave të tyre, ndërsa dy faktorët të vlerësuar më pozitivisht janë kostoja e punës dhe produktiviteti i punonjësve.

Këto perceptime u publikuan sot nga Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.

“Më shumë se gjysma e tyre, më saktë 56%,, mendojnë se do të rriten të ardhurat e kompanive që kanë në Shqipëri. Ky është indikatori më i lartë në vite”, ka thënë Hartmut Jarosch, nga Dhoma gjermane e Tregtisë, transmeton ABCNews.

Sipas raportit, përkeqësim kanë shënuar tre indikatorë: barra e taksave, sistemi dhe administrata tatimore si edhe administrata publike.

Shqipëria vijon të mbetet e fundit mes 20 vendeve të Europës Qendore dhe Lindore si atraksion për destinacion investimesh. Megjithatë 77% e bizneseve janë shprehur se janë të gatshëm të investojnë sërish në Shqipëri.

Pyetjes se a pret komuniteti i sipërmarrësve gjermanë ndryshime në klimën e të bëri biznes në Shqipëri nëse BE-ja jep dritë jeshile për hapjen e negociatave, iu përgjigj e ngarkuara me punë në Tiranë, Anke Holstein.

“Kjo pyetje duhet të na bëhet 10 vjet më vonë, sepse tani po flasim për hapjen e tyre. Deri në procesin e antarësimit, tregu shqiptar duhet të përgatitet për trysninë e atij europian”, është shprehur ajo.

Holstein ka thënë se Gjermania nuk e ka ende një qëndrim nëse do të votojë pro hapjes së negociatave dhe ka shtuar se për këtë do të shprehet parlamenti gjerman.

Ajo ka nënvizuar se faktor vendimtar për qëndrimin që do të mbajë Bundestagu gjerman do të jetë funksionimi i shtetit ligjor, reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit e korrupsionit në Shqipëri. (r.m.)

Comment

*