Bllokada politike rrëzoi parashikimet për rritjen ekonomike në Kosovë

Prishtinë, 8 gusht 2017 – Zvarritja e procesit të formimit të institucioneve i rrëzoi të gjitha parashikimet për rritje ekonomike, të dhëna para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Para këtyre zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës parashikonte një rritje prej mbi 4 për qind, ndërsa institucionet ndërkombëtare parashikonin një rritje deri në 3.9 për qind.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, në një përgjigje për KTV-në, ka thënë se pasojat e bllokadës politike do të ndihen në ekonomi edhe për vitet në vijim.

Ai ka përmendur edhe dështimin e dy programeve të institucioneve financiare ndërkombëtare me vlerë prej 34.3 milionë dollarësh, të cilar kishin për synim përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Mantonavelli ka thënë se këto programe do t’i ndihmonin Kosovës për fuqizim të sektorit privat të orientuar nga eksporti.

Edhe Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane pret pasoja negative të bllokadës në ekonominë e vendit.

Ndërsa analisti i ecurive ekonomike, Naim Gashi, ka thënë se bllokada politike do të lë pasoja shumëvjeçare në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në sferat që vendi ka më së shumti nevojë – në punësim dhe në eksport. (r.m.)

Comment

*