Borxhi i jashtëm i Maqedonisë tashmë është shqetësues

SHKUP, 3 korrik- Bruto borxhi i jashtëm i Maqedonisë ka arritur 5.5 miliard euro ose 73.5 për qind nga bruto prodhimi vendor. Për më pak se dy vjet e gjysmë borxhi i jashtëm është rritur për 1.2 miliard euro, me çka tani ai arrin 5.5 miliard euro ose 73.5 për qind të bruto prodhimit vendor. Vetëm në kuartalin e parë të këtij viti, bruto borxhi i jashtëm është rritur për 340 milion euro. Sipas të dhënave të fundit të Bankës popullore, rritje të borxhit të jashtëm është shënuar thuajse në të gjitha sektorët dhe nga këtu shtorhet çështja se është koha e ngritjes së alarmit dhe se pyetja kryesore do të ishte se ku shkon, kah është i orientuar ai borxh, nëse sektori publik përdorë borxhin financiar të marrë nga jashtë në mënyrë produktive, nëse atë e bën në ndërtimin e objekteve të nevojshme infrastrukturore ose shëndetësi, ose në eliminimin e varfërisë ekstreme, ose i përdorë ato në diçka të panevojshme.
Prej vitit 2006 deri sot, bruto borxhi i jashtëm i Maqedonisë është rritur për tre miliard euro. Bruto borxhi i jashtëm është përmbledhje e borxhit të shtetit dhe borxhit të bankave dhe firmave ndaj subjekteve jashtë vendit. Në afat të gjatë, rritja ekstreme e bruto borxhit të jashtëm paraqet problem për rregullimin e obligimeve për shkak të eksportit të dobët nga njëra anë dhe nevojës për marrje të kredive me interes të lartë për nivelizimin e borxhit të jashtëm, ndërsa me atë burimet e kapitalit bëhen shumë të shtrenjta. (Z.V.)

Comment

*