Borxhi publik i Kosovës shënon rritje

Prishtinë, 25 korrik 2017 – Borxhi publik i Kosovës vazhdon të shënojë rritje, përkundër faktit që ai vlerësohet më i ulëti në rajon.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2015 borxhi publik ka qenë rreth 750 milionë euro, ndërsa në tin 2016 ka arritur në 852.7 milionë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore, kjo rritje i atribuohet kryesisht borxhit të brendshëm, i cili ka arritur në 479 milionë euro, ndërsa borxhi i jashtëm publik ka arritur në 373.8 milionë euro.

Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur 14.5 për qind të Bruto Produktit Vendor. Nga ekspertë e ekonomisë, kjo shum e borxhit nuk konsiderohet e lartë dhe, sipas tyre, në Kosovë ka ende hapësirë për të marrë kredi për qëllime zhvillimore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë, thotë se shuma e borxhit publik të Kosovës nuk mund të konsiderohet alarmuese pasi është brenda kornizës ligjore.

“E them këtë duke u bazuar në faktin se trend i borxhit duhet të matet dhe krahasohet me nivelin e rritjes ekonomike. Dhe nëse Banka Botërore dhe Fondi Monetar e konfirmojnë rritjen ekonomike për vitin 2016 afër 4 për qind dhe kemi këtë nivel të borxhit, atëherë nuk kemi nevojë për brengosje. Por, përkundrazi duhet të na motivojë që të kemi projekte që kanë arsyeshmëri sa më të mirë dhe disiplinë financiare”, thotë Gërxhaliu.

Edhe analisti i ecurive ekonomike, Naim Gashi, thotë se Kosova ka përqindjen më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit,, por thekson se ky borxh nuk duhet të rritet në mënyrë të pakontrolluar.

“Kosova ka hapësirë juridike që të vazhdojë marrjen e borxheve, mirëpo edhe pse legjislacioni në fuqi na lejon këtë edhe parametrat e institucioneve financiare ndërkombëtare lejojnë. Megjithatë, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme në hyrje në borxhe të reja dhe gjeneratat e ardhshme t’i shlyejnë borxhet tona, në të cilat nuk ka leverdi ekonomike dhe përfitime financiare drejtpërdrejtë, për ekonominë, për qytetarët dhe për arkën e shtetit”, thotë Gashi, për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë po ashtu se në Kosovë ka shumë sektorë dhe shumë projekte profitabile, për të cilat autoritetet kompetente mund të marrin borxh dhe të shlyejnë lehtë kredinë.

“Në këtë rast mendoj se është ndërtimi i kapaciteteve energjetike dhe riaktivizimi i sektorit minerar e metalurgjik në Kosovë. Përfitimet në këta dy sektorë janë shumë të mëdha dhe mendoj që shlyerja e borxheve nuk do të ishte barrë për gjeneratat e ardhshme”, thekson Gashi.

Ndërkaq, Grëxhaliu thotë se duhet të anashkalohet qasja e marrjes së kredive për t’u investuar në infrastrukturë. Ai thekson se tani është koha që të përmbushen objektivat tjera, konkretisht fuqizimi i sektorit privat.

“Në këtë drejtim duhet vërtet të kemi më tepër institucione për hulumtim dhe zhvillim, që për fat të keq në Kosovë mund t’i gjesh pak ose fare hiq”, thekson Gërxhaliu.

Sipas Ligjit për Borxhet Publike, shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm në asnjë rast nuk duhet ta tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’ia paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun prej 40 për qind.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*