Bosch: Serbia është ajo që duhet ta ndryshojë Kushtetutën

Prishtinë, 17 tetor 2020 – Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka reaguar ndaj të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në një postim në Facebook, Bosch ka thënë se është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë Kushtetutën dhe për këtë ai e citon ish-kryenegociatoren e Kosovës, Edita Tahiri, e cila kishte thënë se Qeveria e Kosovës duhet të kishte kërkuar që Serbia ta heqë nga Kushtetuta e saj formulimin se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Nuk mund ta imagjinoj që një diplomat i nderuar si Lajçaku, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, i ka kërkuar Kosovës të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë që të bëjë të mundur Asociacionin. Siç e tha me të drejtë, Edita Tahiri, Serbia është ajo që duhet të ndryshojë Kushtetutën pasi në aneksin e rezolutës 1244 thuhet se për Kosovën situata e vitit 1989, entiteti autonom, është ende valide. Me gjasë Lajçaku duhet të bëjë disa detyra shtëpie”, shkroi Bosch.

Ambasadori Bosch është njëri ndër diplomatët më të drejtpërdrtejtë që kanë shërbyer në Kosovë. Ai ka shprehur shpesh qëndrimet dhe pikëpamjet e tij për zhvillimet në Kosovë, madje ka shprehur qëndrim shumë kritik ndaj udhëheqjes së Kosovës.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, përmes një postimi në Facebook, kishte kërkuar që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën.

“Qeveria jonë u desh të kërkojë që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën duke hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj. Por nuk dëgjuam se Qeveria jonë ka kërkuar diçka të tillë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

(r.m.)

Comment

*