Bota e “botëve”

Nga Ruben Avxhiu

Më tërhoqi ky lajm sepse kjo puna e “influencuesve”, zakonisht të rinj me një numër të madh ndjekësish në Instagram dhe platforma të tjera, që bëjnë para thjesht duke provuar produkte e shërbime të ndryshme ka zaptuar tani edhe tokat shqiptare.

Aww’s Imma — me flokë të kuqërremta, që duket qesharake kur kërcen ndiqet nga 300,000 vetë në Instagram. Ajo është një nga zëdhënëset e firmës së LVMH’S Celine. Revistat e modës kanë bërë disa reportazhe fotografish me to.

Një tjetër influencuese e suksesshme në botë është Serafina (Seraphine) me flokët e kuqërremta e pastime me mace. Gati 400,000 vetë e ndjekin në Instagram dhe së shpejti do të promovojë muzikën e saj në Shanghai të Kinës.

Dallimi i tyre nga influencuesit e tjerë është se Imma dhe Serafina nuk ekzistojnë. Dmth nuk është prej mishi e prej gjaku. Është gjeneruar nga kompjuteri. Nuk janë të vetmet të tillë. Në kohën tonë mund të prodhosh virtualisht fytyra që nuk i ngjajnë askujt në botë.
Të strukur si jemi, edhe përpara pandemisë, me një jetë shoqërore që ndodh më shumë online sesa në realitet, çfarë ndryshimi praktik ka në fund të fundit, një person i shpikur nga kompjuteri sesa një i lindur nga një nënë e i mësuar në shoqërinë e sotme.
Shkëmbimet tona në internet janë kaq shumë formale dhe të shkëputura, kaq klishe të përsëritura e banalisht të thejshtëzuara saqë lehtësisht mund të imitohen nga një makinë kompjuterike.

Sidomos në Instagram ku truri rrafshohet si në pak platforma të tjera. Një fotografi, një koment, me reagime zakonisht me një emotikon (ikonë grafike që përfaqëson reagimin tënd emocional.)

Serafina nuk ka frikë nga koronavirusi, por ajo shpesh del me maskë. Imma i bën ndjekësit për vete kur vallëon në mënyrë qesharake. Plot gjëra janë programuar që t’i bëjnë të duken “njerëzore”.

Interesi financiar është shumë i madh. Firmat e kozmetikës, turizmit etj shpenzojnë 15 miliardë dollarë në vit sipas “Business Insider Intelligence” për të paguar influencuesit që reklamojnë prodhimet dhe shërbimet e tyre.

Këta të gjithë mund të bëhen të zëvendësueshëm nga personat virtualë, duke sjellë kursime të mëdha për gjigandët e industrive të ndryshme.

Nuk do të mbetet vetëm këtu kjo punë. Vetëm pak kohë më parë, një vajzë që kishte korruptuar një zyrtar amerikan duke ia vjedhur pastaj të dhënat e qeverisë amerikane në të cilat kishte të drejta përdorimi, në fakt nuk ekzistonte. Ishte krijuar nga kompjuteri dhe pajisur me një identitet të sajin, me profile në platforma të ndryshme, si në Linkedin për të dëshmuar karrierën e saj profesionale, në Facebook për të treguar se kishte shoqërinë e saj dhe interesa, etj.

Përdorimi apo keqpërdorimi në politikë, spiunazh e fusha të tjera është i jashtëzakonshëm.

Të ashtuquajturit “bot” në rrjetet sociale shpesh nuk kuptohen që nuk janë njerëz realë. “Botët” përsërisin si papagalli të njëjtat pikëpamje politike, sjellin të njëjtat lidhëza te artikuj që gjoja shpjegojnë gjithshka. Jo shumë të ndryshëm nga një pjesë e atyre që vijnë dhe komentojnë këtu në postimet tona në rrjetet sociale. Pjesë pjesë e infoluftës që përdoret sot sidomos për të ndikuar debatet mes opinioneve të ndryshme në SHBA e Perëndim.

Asgjë nuk e bën më të lehtë për makinat programuese imitimin e sjelljes njerëzore sesa varfërimi i bisedimeve tona, i temave dhe shijeve, i komenteve dhe reagimeve. Tmerri i infektimeve, padurimi ndaj reagimeve të menjëhershme njerëzore, nevoja për identifikim të plotë ose refuzim total me tjetrin vetëm sa do ta shtojë prirjen tonë për izolim. Hyrja e politikës në çdo kënd të jetës sonë, thjeshtëzimi dhe banalizimi i qendrimeve, çdo gjë punon për këtë botë të re. Një e ardhme që ka zbarkuar parakohe, e që na sheh nga ana tjetër e ekranit sa herë që ndezim një pajisje elektronike që na lidh me internetin.

Comment

*