Botohet një libër me dokumente e dëshmi për revoltën e Qafë Barit

Tiranë, 20 dhjetor 2020 – Ish i burgosuri politik, Bedri Blloshmi, sapo ka botuar në Tiranë një libër të ri me dëshmi dhe dokumenta mbi revoltën brenda burgut të Qafë Barit gjatë diktaturës komuniste.

Libri titullohet “Gjykata e Lartë zbret në Pukë” dhe përshkruan në detaje vrasjen e të burgosurve politikë Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe Sandër Sokoli.

Autori thotë se krimet e komunistëve shqiptarë nëpër burgjet dhe kampet e shfarosjes duhen ndriçuar dhe kujtuar, në mënyrë që të mos përsëriten.

Bedri Blloshmi është një ndër autorët e pakët që shkruajnë ende mbi krimet e regjimit komunist.

Jo se nuk ka çfarë të shkruhet mbi vrasjet e diktaturës 45-vjeçare, por se është vështirë të gjenden dokumente mbi ato krime.

Në rastin e Bedriut është gërshetuar këmbëngulja e tij për të gjetur dokumente arkivore së bashku me kujtesën e tij të fortë personale, si ndodhi me librin për revoltën e Qafë Barit, ku ka qenë i burgosur dhe dëshmitar okular.

Burgu Minierë i Qafë Barit ishte në fakt një kamp famëkeq shfarosjeje, ku gërmohej 24 orë mineral me tre turne në kushte pune të tmerrshme, dhe ku shpesh të burgosurit punëtorë vdisnin brenda galerive.

Në rastin e revoltës së Qafë Barit në maj 1984 u pushkatuan Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ndërsa vdiq në tortura Sandër Sokoli, si dhe u ridënuan nga 10-25 vite burg shtesë edhe 10 të burgosur të tjerë, pjesëmarrës në këtë rebelim spontan brenda mensës së burgut; Sokol Progrni, Vllash Koçi, Martin Leka, Haxhi Barxhinovski, Bajram Vuthi, Ndue Pisha, Lush Bushgjoka, Kosntandin Gjordeni, Lazër Shkëmbi, dhe Hysen Tabaku.

Bedri Blloshmi ka qenë i dënuar me vdekje, dhe pas pushkatimit të vëllait poet Vilson Blloshmi, dënimi iu kthye në burgim të gjatë.

Ai thotë se prej 30 vjetësh përpjekjet e komunistëve për të fshehur krimet e tyre janë shumë herë më të mëdha se sa puna e pak autorëve për të ndriçuar ato krime, ndërsa për ndjesën e xhelatëve as nuk bëhet fjalë, por ende thonë se mirë u bë edhe se ashtu ishte koha.

Madje, shton ai, shumë nga punonjësit e Sigurimit famëkeq të Shtetit komunist janë kthyer sot në poste shtetërore me rëndësi.

Bedri Blloshmi është autor i 9 librave me dëshmi dhe dokumenta për krimet e diktaturës komuniste; “Fabrikimi i Vdekjes”, “Rrëfime nga Ferri komunist”, “Revolta e Spaçit”, “Plumba në Ferr”, “Saga e Blloshmëve”, “Sigurimi i Shtetit në Librazhd”, “Poetët Martirë Vilson Blloshmi e Genc Leka”.

E sot edhe librin “Gjykata e Lartë zbret në Pukë”, një libër tronditës me dokumenta, dëshmi, ditarë e kujtime mbi atë ngjarje tragjike nën diktaturën më të egër komuniste midis vendeve të Europës Lindore.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

Comment

*