Bozdo: Pronari i ri i azer “ARMO”-s merr përsipër çdo detyrim

“Ministria e Ekonomisë, kontrollon plotësimin e disa kushteve, që janë eksperienca teknike e blerësit të aksioneve sëpaku në të njejtin nivel me të shitësit së aksioneve; plotësimi i kriterit financar, çka do të thotë nëse është në gjendje apo jo të plotësojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata koncensionare; që një kompani në çastin që hyn brenda koncensionit, ajo duhet të marrë përsipër, të njohë kontratën koncensionare me të gjitha detyrimet që janë krijuar, po krijohen, apo që do të krijohen gjatë jetës së kësaj kontrate koncensionare”-thotë zëvendësministri i i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Enno Bozdo. Blerësi i aksioneve të “ARMO”-s që ka Rezart Taçi është kompania nga Azerbajxhani “Heaney Assets Corporation”

Denion Ndrenika

Ndryshimi i pronësisë të 85 për qind të aksioneve shumicë të kompanisë së përpunimit të naftës, “ARMO” u pasua me një vëmendje të shtuar dhe veçanërisht me dyshime mbi rolin e qeverisë që ka 15 për qind të aksioneve të kësaj kompanie si një sektor strategjik. “ARMO” ka në pronësi dy rafineri të përpunimit të thellë në naftës, në Fier dhe në Ballsh. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Enno Bozdo deklaroi se ministria është në dijeni të lëvizjes së aksioneve, por duke ushtruar plotësisht të drejtën e saj ligjore të kontrollit për blerësin e mundshëm. Zoti Bozdo foli në Tiranë me gazetën “Illyria”, televizionin kombëtar “Top Channel”, radio “Kosovën” e Radio Televizionit të Kosovës dhe “Zërin e Amerikës”. Zëvendësministri tha se nuk ka asnjë arsye përse të bëhet zhurmë, kur gjithçka që po ndodh me “ARMO-n është e ligjshme.
Ndryshimi i pronësisë kaloi nga privatizuesi koncensionar “Taçi Oil” të pronarit Rezeart Taçi te kompania “Heaney Assets Corporation”. Për “ARMO”-n shtrohen një sërë pikëpyetjesh, për mosplotësimin e investimeve të kompanisë shqiptare “Taçi Oil”, të borxheve, tatimeve, mbrojtjes së punonjësve, shlyerjen e pagave dhe në tërësi të çdo detyrimi që ka në marrëveshjen koncesionare. “ARMO” është një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Shqipërisë. Blerësi i aksioneve “Heaney Assets Corporation” ka marrë përsipër shlyerjen e të gjitha detyrimeve, cilatdoqofshin të krijuara, që krijohen apo që do të krijohen gjatë kësaj periudhe koncensioni. “Heaney Assets Corporation” është kompani nga Azerbajxhani.

-Zoti Bozdo u pyet që në fillim se çfarë po ndodhte me “ARMO”-n dhe se çfarë ishin dyshimet e  ngritura.

-Enno Bozdo: “Në bazë të kontratës koncensionare, sa herë që partnerët vendosin të shesin apo të blejnë kuota apo aksione siç është ky rast, për arsye të ruajtjes së interesit publik dhe plotësimit të disa kritereve duhet që ministri i Ekonomisë të japë muiratimin e tij. Kjo është ajo çfarë po ndodh ekzaktësisht me “ARMO”-n. Ligji për “Shoqëritë Tregtare” nuk ndalon në asnjë mënyrë shit-blerjen e aksioneve apo të kuotave të shoqëriove tregtare. Por, në rastin e kontratave koncensionare kur ka obligime, pra detyrime që rrjedihn nga kontrata, kundrejt autoritetit, kundrejt interesit publik, ministri, ministria e Ekonomisë, kontrollon plotësimin e disa kushteve”.

-Cilat janë kushtet, që në këtë rast plotëson kompania azere? Zoti Bozdo përgjigjet:

-Enno Bozdo: “Kushti i parë është, pasja e e një eksperience teknike të caktuar në këtë fushë, nga kompania, e cila futet tashmë në koncension. Kushti i dytë është plotësimi i kriterit financar, çka do të thotë nëse është në gjendje apo jo të plotësojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata koncensionare. Sigurisht këtu do të ngulmoja, kushti i tretë dhe më i rëndësishëm është që një kompani në çastin që hyn brenda koncensionit, ajo duhet të marrë përsipër, të njohë kontratën koncensionare me të gjitha detyrimet që janë krijuar, po krijohen, apo që do të krijohen gjatë jetës së kësaj kontrate koncensionare. Dhe, ky (“ARMO”), është rasti në fjalë, çka do të thotë që ne kemi pasur një letërkëmbim intend me kompaninë, e cila ka qenë e interesuar të hyjë në koncension, nëpërmjet shkëmbimit të paketave aksionare. Ne kemi bërë verifikimin teknik dhe financiar dhe gjithashtu kemi edhe deklaratën noteriale të kompanisë, e cila merr përsipër të njohë kontratën si të vetmen marrëveshje, marrëdhënie juridike ndërmjet saj dhe autoritetit kontraktues, si dhe të njohë “deri në 1” të gjitha detyrimet e prapambetura të kompanisë që janë krijuar gjatë kohe, që po krijohen apo që do të krijohen.
Me pak fjalë, ne shpresojmë që hyrja e një kompanie me asete mjaft të mira do të thoja, teknike dhe financiare, të zgjidhë, ose të fillojë më saktë të përmirësojë drejt zgjidhjes përfundimtare të gjitha problematikat e vëna re me kompaninë në fjalë”.

Me fjalën “Absolutisht!” zoti Bozdo theksoi se “Heaney Assets Corporation” merr përsipër çdo detyrim ndaj çdo pale të tretë si dhe të punëtorëve:

-Enno Bozdo: “Absolutisht! Mbi të gjitha ruajtjen e punonjësve, pagimin e pagesave të prapambetura, pagat e tyre, të gjitha borxhet që ka ndaj palëve të treta. Pra, absolutisht gjithçka”!

-Zëvendëskryeministri Bozdo sqaroi edhe dyshimet mbi kompaninë “Heaney Assets Corporation”:

-Enno Bozdo: “Kompania deklarohet që është kompani azere dhe ka një background të respektueshëm në fushën, në sektorin përkatës. Mbi të gjitha plotëson kriteret teknike dhe financiare, çka është pikërisht ajo që në fund të fundit na intereson”.

-A është ky një shkëmbim tregtar apo një borxh? Zoti Bozdo u pyet për këtë nisur nga fakti që një vit më parë më 9 gusht 2012, Gjykata e Tiranës vendosi masën e “sekuestros konservative” ndaj 85 për qind të aksioneve të “ARMO”-s dhe të bankës private “Credins” pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit për kthimin e shumës që i ishte marrë, 75  milionë euro (nga zoti Taçi):

-Enno Bozdo: “Nuk mund të komentoj dhe nuk jam në dijeni të këtyre gjërave. Ajo që na intereson ne është që: a-të mos pengojmë shitjen dhe blerjen e aksionecve, sepse kjo do të ishte e kundraligjshme. Por, nga ana tjetër ne kemi detyrimin e mbrojtjes së interesit publik, çka do të thotë që për të gjithë ata që hynë brenda koncensionit, duhet të plotësojnë kriteret që unë shpjegova. Pavarësisht se çfarë ndodh ndërmjet dy kompanive, nëse është për njërën gjë apo për gjënë tjetër, kjo është një çështje e tyre e brendshme. Ne na intereson që ai që vjen ndodhet më e pakta në të njejtin nivel teknik dhe financiar dhe merr përsipër dhe kjo është pika më e rëndësishme, të njohë dhe të zbatojë të gjitha detyrimet e krijuara nëpërmjet marrëdhënies juridike të kontratës koncensionare”.

-Kohëzgjatja e kontratës së koncensionarit tek “ARMO” është 5 vjet. Pyetja për zotin Bozdo ishte se deri në çfarë kohe e zotëron të drejtën e kontrollit autoriteti kontraktor, që është METE?

-Enno Bozdo: “Po… E drejta për të kontrolluar pikërisht këtë lloj transaksioni, pra që Ministria e Ekonomisë, ministri përkatës, të japë një miratim për shit-blerjen e kuotave, aksioneve, nuk është një e drejtë e pa fund. Në asnjë sistem juridik nuk gjeni një të drejtë që shtrihet pafundësisht në kohë. Zakonisht është një e drejtë që shtrihet në 2-3 vitet e para, kur duhet të konsolidohet koncensioni, pra marrëveshja. Në rastin tonë është e shtrirë në 5 vjet. Për ta bërë më të prekshëm për ju. Sikur ky transaksion të ndodhte në dhjetor të këtij viti, ne nuk do të kishim të drejtën as të ndërhynim, as të jepnim mendimin tonë dhe as të pengonim në një rast të caktuar kryerjen e këtij transaksioni, sepse mbaron afati 5-vjeçar (në nëntor). Por, shumë mirë që  ndodh tani, sepse kemi mundësi të kontrollojmë ato gjëra që duhen kontrolluar”.

Investimet e munguara të pronarit Taçi, shtrojnë pyetjen për ndëshkime, që sipas zotit Bozdo “çdo kontratë koncensionare ka gjithmonë penalitete të parashikuara në kontratë në rastin e mosplotësimit të investimeve”.
Ndryshimi i pronësisë me dyshime të shprehura u mbështet në një akt regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Por, sipas zotit Bozdo këtu ka mosnjohje të plotë dhe spekullime, pasi Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) publikon çdo material që i dorëzohet. Sipas tij, ka subjekte që dëshirojnë të mos depozitojnë një kontratë, por kjo mund të dëmtojë një palë tjetër, andaj dhe duhet depozituar. Por, kjo nuk do të thotë ligjshmëri ose paligjshmëri, sepse në çastin kur ka vërejtje (nga pala tjetër e interesuar), atëherë QKR kërkon vendim gjykate për të vepruar.

Comment

*